28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shkelen afatet/ Ku ngeci projekti i Urës mbi Bunë?

Prej më shumë se dy vitesh, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë planifikuar të ndërtojnë së bashku një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri. Vepra duhet të përfundonte në gusht të këtij viti, por verifikimet e Faktoje tregojnë se afatet janë shkelur. Projekti i urës mbi Bunë me vlerë 20 milionë euro do të nis zbatimin në fund të këtij viti, ose fillimvitin e ardhshëm.

Dy vite më parë, gjatë një takimi të nismës Ballkani i Hapur në Ohër, kryeministri shqiptar Edi Rama e njohu kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç me projektin 3D të urës mbi lumin Buna, një ide e hedhur më herët nga Abazoviç që parashikon të lidh Velipojën me Ulqinin.

Projekti u konkretizua në një Marrëveshje Bilaterale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, më 27 shkurt 2023 në Podgoricë. Në mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç nënshkruan Deklaratën e Përbashkët dhe Marrëveshjen Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna me vlerë 20 milionë euro.

Projekt-idea mbi urën që do të lidhë Velipojën me Ulqinin ishte përgatitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projekti teknik i urës, përgatitja e buxhetit, lejet e ndërtimit duhet të përfundonin deri në shkurt të vitit 2023, për t’i hapur rrugën punimeve në terren. Si afat për përfundimin e veprës planifikohej gushti i këtij viti.

Koha tregoi që afati i premtuar për përfundimin e veprës u shkel. Nga verifikimet e Faktoje rezulton se për veprën që planifikohej të inagurohej këtë muaj, nuk kanë nisur ende punimet në terren.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se punimet për projektin pritet të fillojnë në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit 2025.

‘Kohëzgjatja e zbatimit për këtë projekt është parashikuar të jetë 24 muaj. Si rrjedhojë, punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2026 ose fillim të 2027-ës.‘ thotë FSHZH, pa dhënë arsye për shkeljen e afatit.

Paralelisht me ndërtimin e urës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se do të hapet edhe pika e përbashkët e kalimit kufitar, e cila do të bëjë të mundur aksesin e këtij investimi nga qytetarët.

Turizmi kërkon vepra

Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, tha për Faktoje Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi.

“Është ndihmë shumë e madhe për turizmin shqiptar, edhe për ata që duan të shkojnë në Mal të Zi. Dhe jo vetëm thjesht për turizmin shqiptar, sepse do të jetë një urë lidhëse e mirë edhe për turistët shqiptarë të Kosovës që vijnë nga diaspora dhe bëjnë turizëm në Shqipëri.” – shprehet ai duke shtuar se ndërtimi i kësaj vepre duhet të nisë sa më parë, për këtë arsye:

“Me lirimin e vizave për Kosovën ne rrezikojmë pasi atyre u është hapur një rrugë shumë interesante për të shkuar në Greqi. Prandaj ndërtimi i kësaj ure që krijon lehtësi dhe shkurton distancën na ndihmon në një moment si ky, ndaj duhet bërë sa më parë. Jo thjesht të mbetet një projekt.”- argumenton Kryetari i Shoqatës së Turizmit.

Projekti

“Ura mbi Bunë”, është një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, duke shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 km në 300 m.

Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë fshatin Pulaj të Velipojës dhe Cveti Nikoliqin në Mal të Zi, në territorin e Komunës së Ulqinit.

Ura e projektuar është kompozitë me trarë çeliku dhe soletë beton arme, rreth 300 metër e gjatë me një gjerësi prej 17 metra linearë, me dy trotuare dhe korsi biçikletash në të dy krahët e urës, dy korsi kalimi për makina me gjerësi rreth 5.25 metra secila.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor.

I gjithë projekti do të kushtojë 20 milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth dy vite.

Esmeralda Topi/ Faktoje.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *