28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Bllokim automatik llogarive të biznesit/ Tatimet tender për të ngritur sistemin dixhital për mbledhjen e borxheve

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender me vlerë 300 mijë euro për ngritjen e një sistemi dixhital komunikimi mes administratës tatimore dhe bankave tregtare. Sistemi, bën të mundur bllokimin automatik të llogarive të bizneseve menjëherë sapo ato dalin debitore në Tatime.

Sipas Tatimeve, ky sistem djell një zgjidhje më praktike në mbledhjen e borxheve të papaguara nga bizneset duke i dhënë fund problematikave të hasura.

“Volumi i lartë i tatimpaguesve me detyrime tatimore të papaguara të ndjekur nga Drejtoria e Detyrimeve Tatimore te Papaguara në DPT Rajoni Qendror prej rreth 130,000 tatimpaguesish debitorë bën që të ketë kosto të larta: monetare (letër, bojë, printer, shpenzimet e postës etj) dhe kosto të burimeve njerëzore,” thuhet në dokumentat shoqëruese të tenderit.

Në dokumentin tenderues, argumentohet gjithashtu se ngritja e këtij sistemi është i domosdoshëm për shkak se janë evidentuar raste kur masat shtrënguese të ndërmarra për një tatimpagues nuk rezultojnë të protokolluara në bazë të kategorisë së masës.

Gjithashtu në dokument sqarohet se janë evidentuar skema ku për subjekte me detyrime tatimore ta papaguara bëhen “Urdhër Bllokime” nga Administrata Tatimore, protokollohen dhe nuk shkojnë fare pranë bankave të nivelit të dytë. Për subjekte me detyrime tatimore të papaguara bëhen “Urdhër Zhbllokime” të cilat firmosen dhe vulosen në mënyrë të falsifikuar dhe dërgohen në bankat e nivelit të dytë të pa protokolluara.

Nga ana tjetër, nënvizohet gjithashtu se Rajoni Qendror, referuar numrit të lartë të tatimpaguesve me detyrime të papaguara tatimore e bën të vështirë respektimin e afateve për marrjen e masave shtrënguese në kohën e duhur dhe kryesisht dërgimin në afat të “urdhër bllokimeve të llogarive bankare” pranë bankave të nivelit të dytë.

Sistemi elektronik që synohet të ngrihet për ti dhënë zgjidhje këtyre problematikave do të bëjë të mundur mbledhjen me shpejt dhe në kohë të detyrimeve të papaguara; uljen ndjeshëm të kostove për marrjen e masave shtrënguese; Rritjen e arkëtimeve të detyrimeve të papaguara; Zvogëlimin e stokut të detyrimeve të papaguara; dhe Shmangien e skemave te mashtrimit.

Sistemi parashikohet të mundësojë përmirësimin dhe thjeshtimin e komunikimit mes palëve në lidhje me mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara; si dhe ndërveprimin e sistemin me atë tatimor e-Taxation përmes Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *