Lejimi i importit për një kategori mbetjesh ka qenë një kërkesë e bërë më herët nga industritë prodhuese dhe ricikluese në vend, në funksion të aktivitetit që ushtrojnë. Ndërkohë që, pas përfshirjes së kësaj kërkese në projektligjin e ri ”Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra tha për TV SCAN se kërkesa ka qenë e fokusuar te mundësimi i importimit të lëndëve të para dytësore, që janë pjesë e listës së gjelbër e që lejohen edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se në propozimet e dërguara në qeveri është kërkuar që importi të bëhet vetëm nga dogana e Durrësit, si një formë për të minimizuar riskun e kalimit të mbetjeve të rrezikshme apo të ndaluara, duke qenë se në këtë pikë kufitare kryhet edhe procesi i skanimit.
Po ashtu, ai tha se edhe miratimi i listës së mbetjeve që do lejohen të importohen nga Këshilli i Ministrave bazuar në kërkesat e industrisë përkatëse, ishte një variant i propozuar prej tyre, si një formë për minimizuar abuzimet.
Paralelisht, është kërkuar edhe lejimi i importimit të lëndëve djegëse alternative (RDF/SRF), që i shërbejnë industrisë së çimentos. Sipas Shkodrës, edhe këto lëndë janë pjesë e listës së gjelbër dhe shërbejnë si zëvendësues të produkteve të tjera, sikurse është koksi apo mazuti, që përdoren aktualisht nga kjo industri e që sipas tij janë më ndotës sesa lëndët djegëse alternative.
Por, ndryshe nga industritë prodhuese e ricikluese ambientalistët kanë kundërshtuar rikthimin për herë të katërt të kësaj nisme, me argumentin se jo vetëm që lejimi i importit shton rrezikun për t’u importuar edhe mbetje të ndaluara, por edhe për faktin se Shqipëria nuk ka mundur të menaxhojë siç duhet as mbetjet që gjenerohen në vend.
Scan.TV