Qeveria ka rritur me 150 milionë euro të tjera investimet publike të programuara për këtë vit. Tabelat e Aktit Normativ të Buxhetit tregojnë se shifra e shpenzimeve kapitale është rritur në 150 miliardë lekë ose 1.5 miliardë euro nga 135 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin ekzistues.
Kjo do të thotë se këtë vit, qeveria do të investojë në ekonomi përmes projekteve publike 6.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka përbën një nga shifrat më të larta të investimeve publike në dekadat e fundit. Por ku shkojnë paratë?
Përfituesi më i madh është Fondi i Zhvillimit Shqiptar. Institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli merr 82 milionë euro shtesë mbi buxhetin ekzistues duke arritur në një portofol total investimesh prej 218 milionë eurosh këtë vit nga 136 milionë që ishte parashikuar në buxhetin ekzistues.
Pas FZHSH, përfituesi i dytë më i madh është ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Edhe fondi i investimeve për ministrinë e Infrastrukturës shtohet me 82 milionë euro duke arritur në 682 milionë euro në total për këtë vit.
Thuajse e gjithë shtesa ka shkuar për programin e transportit rrugor, i cili u rrit me 66 milionë euro. Fondet për këtë program me ndryshimet e reja arrijnë në 330 milionë euro nga 260 milionë që ishin në buxhetin aktual.
Sipas aktit normativ, njësitë e qeverisjes së përgjithshme mund të fillojnë procedurën e prokurimit të fondeve që në muajin shtator.
Kapitali e kishte paralajmëruar më parë se ministria e Infrastrukturës do të marrë më shumë para nga buxheti për të akomoduar rritjen e kostove në një sërë projektesh rrugore, por edhe për të financua hapjen e projekteve të reja.
Kjo ishte dhe një nga asyet kryesore të ndryshimeve në qeveri, veçanërisht në dikasterin e Financave, që më parë hezitonte të miratonte rritjen e kostove në veprat e mëdha publike.
Përmes Aktit Normativ qeveria rriti me 26.7 miliardë lekë planin e të ardhurave buxhetore për këtë vit duke e çuar buxhetin total të shtetit në 714 miliardë lekë. Ndërkohë defiçiti fiskal mbetet i pandryshuar përf shkak se në të njëjtën masë rriten edhe shpenzimet buxhetore, veçanërisht ato për investimet publike.