28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Akuzohen se mashtruan mijëra shqiptarë, MCA e Final kërkojnë licensën në gjykatë

Nga Boldnews.al

Kompanitë e mikrokreditit, “MCA” dhe “Final” kërkojnë nga Gjykata Administrative e Apelit rikthimin e licencave të tyre, tre muaj pasi Banka e Shqipërisë mori vendim për heqjen e lejes për aktivitetin e tyre financiar.

Në fillim të shtatorit, dy shoqëritë kanë dorëzuar paditë dhe tashmë pritet që trupat gjyqësore të shprehet në vijim për kërkesat e tyre.

Në foto: Padia e “MCA” në portalin e Gjykatës Administrative të Apelit

“MCA” dhe “Final” dyshohet se janë në qendër të skandalit të mikrokredive, ku mijëra qytetarë shqiptarë u ngarkuan me detyrime shumë herë më të larta se sa ato që parashikoheshin në kontratat e kredive.

Në foto: Padia e “Final” në portalin e Gjykatës Administrative të Apelit

Në 23 Maj 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet dy vendimeve tejet të vonuara, vendosi revokimin e licencës për shoqërinë “Micro Credit Albania (MCA) dhe “Final”.

Në vendimin e kreut të Bankës, Gent Sejko, thuhej se dy kompanitë nuk gëzojnë reputacion të mirë, pasi aksionerët dhe administratorët e tyre u vendosën nën masa sigurimi nga Prokuroria e Tiranën, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda.

Në foto: Vendimi i Bankës së Shqipërisë për revokimin e licensës së “MCA”

Sinjalet e para të krijimit të një skeme mashtruese me mikrokreditë u dukën që në vitin 2020.

Në atë kohë, qytetarë të ndryshëm raportuan se institucionet financiare jo-banka po aplikonin tarifa dhe kamata abuzive, të cilat tejkalonin detyrimet që këta individë kishin marrë në formë kredie.

Në foto: Vendimi i Bankës së Shqipërisë për revokimin e licensës së “Final”

Ankesat e para ranë në vesh të shurdhër nga institucionet monitoruese, përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë. Ky pasivitet institucional u dha dorë kompanive të mikrokreditit që të vijonin pa ndalur aktivitetin e tyre, duke përfshirë në skemën e dyshuar mashtruese edhe përmbarues të ndryshëm privatë.

Në mars të vitit 2024, Prokuroria e Tiranë, pas një hetimi të zgjeruar, mori miratimin e gjykatës dhe vendosi nën masa arresti ortakët dhe administratorët e shoqërive të mikrokreditit ‘MCA” dhe “Final”, si edhe disa përmbarues privatë.

Në vijim, gjykata miratoi kërkesën e Prokurorisë së kryeqytetit për vendosjen nën sekuestro të personit juridic “MCA” dhe ‘Final”, si një masë që parandalonte aktivitetin e tyre tregtar.

Vetëm pas këtyre zhvillimeve dhe sidomos pas presionit të lartë publik, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të marrë seriozisht në konsideratë ankesat e qytetarëve.

Në 23 Maj 2024, me dy vendime të njëpasnjëshme, guvernatori Sejko vendosi “revokimin e lejes së ushtrimit të aktivitetit” për MCA dhe Final.

Në hetimet e Prokurorisë së Tiranës dyshohet se dy shoqëritë e mikrokreditit, në bashkëpunim edhe me disa përmba rues gjyqësore, kanë përdorur taktikën e joshjes e më tej të shantazhit për mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët ishin në vështirësi ekonomike për të shlyer në kohë detyrimet financiare që kishin marrë pranë “MCA” e “Final” ose edhe bankave të nivelit të dytë, të cilat kishin ceduar kreditë e tyre të këqija tek këto dy institucione financiare jo-banka.

Sipas hetimeve të organit të akuzës, kompanitë e mikrokreditit e kanë ndërtuar skemën e dyshuar në disa faza. Prokuroria, zyrtarisht, thotë se “MCA” dhe “Final”, në bashkëpunim me disa përmbarues;

– Kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);

– Kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet  telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me  qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;

– Kanë përdorur gënjeshtrën që konsostente në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore;

– Kanë aplikuar sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor;

– Kanë kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe

– Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA,  pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande  fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *