Fitimi neto i bankave shqiptare u rrit në 21.8 miliardë lekë ose 218.9 milionë euro në shtatë muajt e parë të vitit 2024, nga 17.46 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat janë bërë publike nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Bankat shqiptare vazhdojnë të shënojnë rezultate rekord në terma të përfitueshmërisë, të ndihmuara nga zgjerimi i vrullshëm i kreditimit, por edhe marxhet më të larta të interesave, të cilat aplikohen pas pandemisë.
Sipas të dhënave, teprica e portofolit të kredisë së bankave në vend arriti në 795.8 miliardë lekë në fund të korrikut, një rritje nga 702.9 miliardë lekë një vit më parë.
Depozitat u rritën në 1.62 trilion lekë në fund të korrikut, nga 1.49 trilionë lekë një vit më parë. Totali i aktiveve të sistemit bankar të vendit u rrit në 2 trilionë lekë, nga 1.83 trilionë lekë që ishte në fund të korrikut 2023.
Shifrat përbëjnë rezultatet financiare të njëmbëdhjetë bankave shqiptare. Banka Kombetare Tregtare (BKT) ishte më e madhja mes tyre për sa i përket aktiveve në fund të tremujorit të dytë.