27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Gati kufiri për pagesat cash mes individëve, ulet vlera e lejuar për biznesin

Qeveria do të kufizojë pagesat cash në transaksionet mes individëve. Masa është njoftuar në “Strategjinë Afatmesme dhe Planin e të Ardhurave për periudhën 2024-2027.” Aktualisht Shqipëria nuk ka kufizime për pagesat cash që individët kryejnë me njëri tjetrin, por edhe me biznesin. Por sipas strategjisë ky limit do të vendoset duke filluar që nga viti i ardhshëm.

Ministria e Financave e justifikon këtë masë me përdorimin e gjerë të parasë cash në ekonomi.

“Përdorimi i pagesave me para në dorë në Shqipëri ka qenë dhe mbetet ende i lartë në krahasim me vendet e tjera evropiane. Sipas të dhënave të fundit nga Banka e Shqipërisë, rreth 90% e transaksioneve të konsumit përfundimtar kryheshin me para në dorë në vitin 2022. Raporti i vlerës së kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim ndaj M3 (Agregatit të Gjerë Monetar). Në fund të vitit 2022, ky raport ishte 27.9% në Shqipëri sipas Bankës së Shqipërisë. Kjo është shumë më e lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian prej 10.7%,” thuhet në dokumentin e strategjisë.

Por kjo nuk është masa e vetme e paralajmëruar nga qeveria për të ulur paranë cash në ekonomi. Sipas strategjisë, brenda vitit të ardhshëm do të ulet edhe kufiri i pagsave cash mes bizneseve, i cili aktualisht është 150 mijë lekë. Strategjia nuk e përcakton se sa do të jetë kufiri i ri i lejuar i pagesave me lekë në dorë për bizneset, por në dokument paralajmërohet se paralelisht do të krijohet edhe kuadri i riskut për të evidentuar tatimpaguesit të cilët fragmentizojnë faturat për të mos kaluar limitin që përcakton ligji.

Po kështu ky kuadër do të evidentojë edhe tatimpaguesit që kanë nivel anormal të faturimit cash krahasuar me të ngjashmit e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *