Ekonomia shqiptare u zgjerua me 4.06 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti e nxitur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi. Instituti i Statistikave raportoi se grupi i tregtisë, akomodimit dhe aktivitetit ushqimor kontriboi me 1.12 për qind në rritjen e prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë periudhës Prill-Qershor, ndërkohë që po aq ishte dhe kontributi i ndërtimit.
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të dytë 9 degë të ekonomisë shënuan rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që grupi i industrisë, energjisë dhe ujit si dhe ai i informacion-komunikacionit shënuan rënie.
Prodhimi industrial i vendit është goditur rëndë në të gjitha fronte për shkak të rënies së ccmimeve të lëndëve të parë në tregjet ndërkombëtare, por edhe forcimit të lekut ndaj euros. Nga ana tjetër një mot me i pafavorshëm ka tkurrur ndjeshëm prodhimin e energjisë duke thelluar më tej rënien e prodhimit në këtë degë.
Megjithatë goditja e sektorit prodhues duket se është kompesuar nga shërbimet, por edhe ndërtimi. Sipas INSTAT, sektori i ndërtimit u rrit me 10.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa aktivitetet e lidhura me turizmin u zgjeruan me 6.5 për qind mbi bazë vjetore në tremujorin e dytë.
Ndërkohë, si gjashtëmujor, ekonomia shqiptare është rritur me 3.94 për qind këtë vit krahasuar me 6 mujorin e vitit të kaluar. Kjo shifër është lehtësisht mbi pritshmëritë e FMN-së dhe qeverisë, të cilat projektojnë një rritje ekonominë rreth nivelit 3.7 për qind gjatë këtij viti.