27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kompani fiktive për “Kardhiq-Delvinë/ “Agroni më tha…”, ja dëshmitë që nxorën zbuluar “Vëllezërit Hysa”

Nga Boldnews.al

“Në momentin që “Vëllezërit Hysa” sh.p.k, vendosën të mos marrin pjesë vetë si shoqëri në tenderin e rrugës “Kardhiq – Delvinë loti 7-të”, më tha Agroni, çdo dokumentacion që kemi marrë tek “IRCOP spa” dhe që do të sjellë “IRCOP spa, dega Itali”, do ja kalosh shtetasit Elton Musta, i cili do të marri pjesë….”.
Ish-ekonomistja e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, shtetasja J.M. i është përgjigjur në këtë mënyrë pyetjeve të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilit zhvilluan paraprakisht për llogari të SPAK-ut hetimet për abuzimin në tenderin 23 milionë euro të ndërtimit të rrugës “Kardhiq-Delvinë, Loti 7”.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim, nën akuzën e “falsifikimit të dokumentave Agron Hysën, Elton Mustën, si edhe dy subjektet private, “Vëllezërit Hysa” dhe “Sulova Prodhim-Ndërtim.

Baza kryesore e hetimit është zhvilluar nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila kishte si objekt të saj ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Sonila Qato.

Gjatë hetimit për Qaton dhe zëvendësen e saj, Elona Gogo, SPAK-u konstatoi dyshime edhe mbi veprimtarinë e kompanisë “Vëllezërit Hysa”. Këtë dosje e veçoi dhe ia dorëzoi Prokurorisë së Tiranës për kompetencë.

Nga të dhënat hetimore u krijuan dyshime të forta se shoqëria e ndërtimit “Vëllezërit Hysa”, megjithëse nuk mori pjesë në atë procedurë tenderuese, sërish lëvizte të gjitha fijet e kompanive pjesëmarrës në një bashkim operatorësh, të cilët u shpallën fillimisht fitues.

Tenderi i luftuar

Në Prill të vitit 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli tenderin me objekt “Ndërtimi i Rrugës Kardhiq-Delvinë, Loti 7”, i cili përfshinte ndërtimin e tunelit të Skërficës. Fondi limit për këtë procedurë ishte 2.3 miliardë lekë të reja ose rreth 23 milionë euro.

Në Qershor të atij viti, ARRSH shpalli fitues paraprak bashkimin e operatorëve “Ircop” S.p.a.

& “Sulova Ndërtim Prodhim” &”Vega” & “A&E Engineering”.

Pas këtij vendimi të ARRSH-së, u zhvillua një betejë e fortë dhe, në përfundim, tenderi i shkoi një bashkimi tjetër operatorësh.

Ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato

Çështja përfundoi në organet e drejtësisë, nga ku u zbulua, ndër të tjera se, kompania “Vëllezërit Hysa”, e cila nuk merrte pjesë formalisht në garë, kontrollonte të gjitha veprimet e bashkimit të operatorëve që u shpallën fillimisht fitues në tenderin 23 milionë euro.

Prokuroria u bind për këtë skemë pasi mori dëshmitë e personave të ndryshëm. Ndër ta ishte edhe ish-ekonomistja J.M, e cila ka pasur një rol të dorës së parë në shërbimet për Agron Hysën, përfaqësuesin e “Vëllezërit Hysa”.

Dëshmia e ekonomistes

Në dëshminë e saj para prokurorëve, J.M. ka deklaruar se “drejtori i përgjithshëm i “Vëllezërit Hysa”, Agron Hysa më ka komunikuar se do bashkëpunonim me shoqërinë “IRCOP” s.p.a.. për pjesmarrjen në tendera”.

Më pas, ajo thotë se ka shkuar dy herë në Itali për të mbajtur kontaktet me shoqërinë “Ircop”.

Herën e parë ka shkuar së bashku me Agron Hysën, për të ndërtuar marrëdhënie bisnesi me shoqërinë “IRCOP” s.p.a. dhe një herë tjetër ka qenë vetëm për të dërguar listën e dokumentacionit për tenderin Kardhiq-Delvinë loti 7-të. …..

Herën e parë kur kam ikur me Agronin kemi takuar administratorin e “Ircop”, A. C.. Të pranishëm ishin edhe inxhinierë nga stafi i tij dhe kemi biseduar për bashkëpunim në tendera të ndryshëm si në ujësjellësa, në rrugë, objekte, si dhe çfarë punësh kishin bërë. Ndërsa herën e dytë kam shkuar dhe kam takuar një punonjëse që quhej Laura për të dorëzuar listën e dokumentacionit i Dokumentave Standarte të tenderit Kardhiq- Delvinë loti 7-të, për të shpjeguar listën e dokumentacionit se çfarë përmbante ….”, tha ajo para hetuesve.

Ish-ekonomistja pranon se dokumentat standarte të tenderit Kardhiq- Delvinë loti 7-të, i ka marë nga juristi i kompanisë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k., D. K. Dhe, më pas, Agroni e ka dërguar të takojë përfaqësuesit e shoqërisë “IRCOP” s.p.a……..

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi (tashmë i arrestuar), në tunelin e Skërficës

Ajo mohon që të ketë pasur ndonjë detyrë tek “Ircop” spa. Sipas ekonomistes, kompania italiane kishte ngarkuar një studio ligjore në Tiranë për të përgatitur dokumentat e regjistrimit të degës së saj në Shqipëri

Megjithatë, veprimet për regjistrimin e “Ircop” spa në Shqipëri janë kryer nga ekonomistja J.M., pasi e kishte urdhëruar verbalisht Agron Hysa. Madje, shtetasja J.M. ka lënë edhe të dhënat e saj si pikë kontakti tek “Ircop”, dega Shqipëri.

Në vijim, ajo deklaron se çdo dokument që vinte nga “Ircop-Itali” ia kalonte shtetasit Elton Musta, i cili kishte rol drejtues tek “Vëllezërit Hysa”, por nga ana tjetër ishte edhe administrator i “Sulova Prodhim-Ndërtim”, një kompani që mori pjesë në tenderin “Kardhiq-Delvinë-Loti 7”.

“Sulova”, kompania bijë fiktive

Të dhënat hetimore dhe dëshmitë e marra gjatë hetimit tregojnë se shoqëria “Vëllezërit Hysa” kontrollonte në hije të paktën dy nga katër subjektet që kishin krijuar bashkimin e operatorëve, të cilët u shpallën fillimisht fitues të tenderit për ndërtimin e Lotit 7 të aksit “Kardhiq-Delvinë”.

Shoqëria “Sulova Ndërtim-Prodhim” është regjistruar në vitin 2014 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ajo është pronësi formale të Elton Musta, ndërkohë që ky i fundit ishte i punësuar tek “Vëllezërit Hysa”.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se veprimet hetimore arritën ka provuar se shoqëria “Sulova Ndërtim” nuk është gjë tjetër veçse një krijesë e shoqërisë “Vëllezërit Hysa” e cila përdoret nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj por në emër të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”.

Sipas prokurorisë, “ky fakt del i provuar edhe nga ndryshimet e bëra në muajin Tetor 2020 ku shtetasi Elton Musta ia shet shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim” shtetasve Xheni dhe Gentian Hysa, të cilët janë fëmijët e administratorëve të shoqërisë “Vëllezërit Hysa”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *