Vetëm pak javë pasi e futi në listën e projekteve me rëndësi kombëtare, qeveria ka shpallur tenderat e parë për ndërtimin e rrugës Elbasan-Lekaj. Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli tenderat për 6 lotet e parë të segmentit, i cili lidh Elbasanin me Rrogozhinën dhe që është pjesë e Korridorit të 8-të.
Sipas dokumentave, këto lote kanë shndërrojnë në autostradë me të paktën 2 korsi në secilin kah lëvizje, segmentin nga Elbasani deri tek Ura e Grykshit me një kosto totale prej rreth 150 milionë euro. Përkatësisht 75 milionë euro do të shkojnë për segmentin nga Elbasani në Papërr dhe afërsisht po kaq për segmentin nga Papërri në Urën e Grykshit.
Sipas dokumenteve të tenderit projekti fillon në afërsi të ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ku do të bëhet lidhja me bypassin e Elbasain që është në projektim e deri në Lekaj, ku bashkohet me autostradën ekzistuese të korridorit blu.
Gjatësia e rrugës është 40.7km dhe kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë).
Këto tendera përbëjnë më pak se gjysmën e kostos totale të kësaj rruge. Sipas listës unike të projekteve të miratuara nga qeveria, rruga Elbasan-Lekaj do të ketë një kosto totale prej 360 milionë euro. Tenderat për segmentet nga Ura e Grykshit deri në Lekaj do të shpallen në vijim.
Elbasan Lekaj
Aktualisht rruga nga Elbasani në Rrogozhinë është me një korsi. Përmes këtyre tenderave, qeveria synon ta shndërrojë atë në një autostradë, e cila do të ketë të paktën 2 korsi lëvizjeje në secilin krah.
Nisur nga kategoria e rrugës shpejtësia e lejuar pas përfundimit të punimeve do të jetë në intervalin 90 km/orë deri në 140 km/orë. Kjo rrugë është pjesë e Korridorit të 8-të. Ky korridor konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, pasi pritet të çojë në një rang tjetër flukset në porte, aeroporte dhe logjistikë, teksa sipas studimeve do të ketë një rritje të volumeve në porte mbi 40%.
Gjurma kryesore e Korridorit 8 përfshin portet detare dhe lumore, aeroportet, portet multimodale, rrugët dhe hekurudhat, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Ai nis nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindisit në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve – Tiranë, Shkup, Sofje – përmes Plovdivit, duke përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.
Në territorin shqiptar ai shtrihet në rreth 154 km, teksa aktualisht po punohet edhe në 8 lot-e të tjerë nga Elbasani, në drejtim të Maqedonisë së Veriut.