Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës është vendosur kioska e re e vetëshërbimit nga IPORT, që u vjen në ndihmë udhëtarëve të marrin shumë shpejt kartën e tyre të imbarkimit.
TIA informon se, udhëtarët duhet të skanojnë pasaportën e tyre dhe menjëherë marrin kartën e imbarkimit, duke e bërë përvojën e udhëtimit më të shpejtë dhe më të thjeshtë.
“Jemi të lumtur të prezantojmë risinë më të fundit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës – kioskën e re të vetë-shërbimit nga IPORT. Thjesht skanoni pasaportën tuaj dhe menjëherë merrni kartën tuaj të imbarkimit, duke e bërë përvojën tuaj të udhëtimit më të shpejtë dhe më të thjeshtë,” njoftoi Aeroporti.
Kjo teknologji e re e thjeshton procesin e check-in, redukton kohën e pritjes dhe rrit komoditetin për pasagjerët.
TIA, informon se është e përkushtuar për të implementuar teknologji moderne për të përmirësuar operacionet dhe për të siguruar një udhëtim të qetë për të gjithë pasagjerët.
Së fundmi, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njohur flukse pasagjerësh ndërsa vijon bumi turistik në vend. Në korrik, sipas të dhënave të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve Shqipëria kryesoi me rritjen e jashtëzakonshme mbi 200 % të numrit të pasagjerëve.
Flukset turistike kanë shtuar edhe nevojën për shërbime të shpejta që lehtësojnë përvojën e udhëtimit për pasagjerët.