27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

BSH bën gati ligjin e ri që detyron bankat private të shtojnë investimet për sigurinë kibernetike

Forcimi dhe shtimi i masave për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike ishte fokusi kryesor i Konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike që bëri bashkë zyrtarë të lartë, ekspertë të sigurisë kibernetike, përfaqësues diplomatikë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Gjatë kësaj konference, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se për pak ditë do të miratohet një rregullore e re që i detyron bankat e nivelit të dytë të shtojnë masat për rritjen e sigurisë kibernetike.

“Në bashkëpunim dhe me asistencën teknike të Departamentit të Shtetit të Thesarit Amerikan, është një rregullore e re që ne e kemi përgatitur dhe presim ta miratojmë në këtë mbledhje Këshilli, e cila do të rrisë kërkesat dhe masat për bankat e nivelit të dytë në lidhje me sigurinë kibernetike.”

Nga ana tjetër, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silda Anagnosti, theksoi që duhen angazhuar ekspertë të diasporës shqiptare, me qëllim që të ofrojnë ekspertizën e tyre për sa i përket sigurisë kibernetike në Shqipëri.

“Do t’ju shtyja që të merrnit seriozisht edhe gjetjen e këtyre njerëzve te shqiptarët që jetojnë në botë, te shqiptarët e diasporës. Diaspora tashmë, falë edhe zhvillimeve të teknologjisë së informacionit është më pranë se kurrë me Shqipërinë dhe ka asete, ka njerëz të cilët mund t’i japin vendit shumë më tepër sesa ne.”

Në panele, u diskutua gjithashtu nevoja që të investohet në shkollat profesionale, me synimin që këto të fundit të përgatisin ekspertë të sigurisë kibernetike që ofrojnë zgjidhje praktike për problemet e lidhura me këtë çështje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *