Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve për hapjen e përfaqësisë së saj në Shqipëri.
Kjo marrëveshje vjen si pjesë e përpjekjeve për të forcuar partneritetin dhe për të përfituar nga financimet e BEI-së në sektorë të rëndësishëm për zhvilliimin e qëndrueshëm të vendit. Por çfarë po financon konkretisht BEI në Shqipëri?
Banka Evropiane e Investimeve po ofron mbështetje teknike për qeverinë e Shqipërisë për përgatitjen e projektit hekurudhor të Korridorit VIII në linjat hekurudhore Durrës – Rrogozhinë dhe Rrogozhinë – Pogradec.
Ndërkohë, Banka Evropiane e Investimeve, e cila është në pronësi të 27 qeverive të BE-së, po financon Shqipërinë në projekte infrastrukturore të rëndësishme, siç është rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë- Hani i Hotit, duke dhënë kredi për këtë projekt prej 100 mln euro. Marrëveshja për këtë qëllim u nënshkrua në muajin mars në selinë e Bankës Evropiane të Investimeve nga zv/kryeministrja, njëherësh minister e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Rehabilitimi i kësaj linje hekurudhore parashikohet të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit, por edhe mjedisit. Ky projekt ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave.
Banka Evropiane e Investimeve ofron mbështetjen e saj në sektorë të rëndësishëm të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, siç është dhe Republika e Shqipërisë një kanditate drejt anëtarësimit dhe integrimit në BE.
Scan