27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

30 mijë mjete në ditë/ Gener 2 humbi 7.5 milionë euro nga tarifa e rrugës

Autostrada Thumanë Kashar regjistroi një fluks mesatar prej 30 mijë mjetesh në ditë gjatë tre muajve të verës. Të dhënat janë bërë publike nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Ballluku.

Në vetëm tre muaj nga hapja e aksit Thumanë – Kashar kanë kaluar 2.7 milionë makina. Ky bilanc është bërë sot me dije nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila tha se :”Nga data 28 qershor, që kjo rrugë u bë e disponueshme, deri në 30 shtator në aksin Thumanë-Kashar kanë kaluar 2 milionë e 700 mijë automjete, një shifër kjo rekord edhe për autostradat e tjera të rajonit dhe jo më për Shqipërinë se si mendohej dikur”.

Rruga Thumanë Kashar u ndërtua me koncesion të mirëfilltë nga kompania Gener 2, e cila sipas qeverisë ka shpenzuar mbi 200 milionë euro për ndërtimin e këtij aksi. Kompania ka marrë të drejtën për vendosjen e një tarife prej 2.52 eurosh ose 270 lekësh për ccdo automjet. Por edhe pse rruga u hap në 28 qershor, Gener 2 nuk mundi të mbledhë asnjë ditë tarifën e kalimit në rrugës. 

Kjo do te thote se vetem per 3 muaj e pak dite kompania ka humbur te pakten 7.5 milione euro nga mosmbledhja e tarifes se kalimit ne rruge.

Shkak për këtë ishin protestat e banorëve të Fushë Krujës, Thumanës dhe Krujës, të cilëve kompania nuk u ofroi dalje në rrugë si dhe u mbylli rrugën ekzistuese. Vetëm pak javë më parë pas disa protestave rresht, u arrit që për mijëra biznese dhe për 85 mijë banorët e Bashkisë Krujë dhe Fushë Krujë të krijohet aksesi në këtë aks.

Burime nga ministria e Infrastrukturës i thanë Kapitalit se pas marrëveshjes së arritur, kompania është duke punuar për nyjet e reja që u ofrojnë kalime zonave të prekura. Por ende nuk dihet se kur ato do të bëhen funksionale si dhe kur kompania do të lejohet të vendosë tarifën e kalimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *