Apartamentet me qira afatshkurtër regjistruan gati 10.3 milionë netëqëndrime vitin e kaluar, duke tejkaluar me mbi 34 për qind netëqëndrimet e hoteleve. Të dhënat janë bërë publike nga ministria e Turizmit në Draftstrategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030.
Sipas qeverisë, aktualisht qiratë afatshkurtra janë segmenti më i madh i akomodimit, qoftë nga numri i netëqëndrimeve, por edhe nga shtretërit e ofruar. Nëse të gjitha hotelet shqiptare numërojnë më 59.6 mijë shtretër në total, apartamentet që jepen me qira afatshkurtër në platformat e ndryshme si booking apo Airbnb kanë 176 mijë shtretër të disponueshëm.
Zyrtarisht Shqipëria raportoi vetëm 7.6 milionë netëqëndrime të turistëve gjatë vitit të kaluar, ato që u regjistruan në hotele. Por qeveria thotë se shifra është shumë më e madhe se kaq nëse përfshihet informaliteti, netëqëndrimet në apartamentet me qira afatshkurtër dhe ato përtej strukturave akomoduese.
“Global Data vlerësoi rreth 30,9 milionë netë-qëndrime ndërkombëtare në vitin 2023, shifër e cila tregon për një fluks shumë herë më të madh dhe dëshmon se një numër i konsiderueshëm i mbërritjeve të turistëve dhe netqëndrimeve nuk regjistrohen nga INSTAT. Mospërputhjet midis të dhënave nga INSTAT dhe të dhënave globale theksojnë se sa e rëndësishme është që të tregohet një kujdes i përgjithshëm në interpretimin e statistikave aktuale lidhur me të dhënat turistike në Shqipëri,” shkruan ministria në Strategji.
Sipas draftstrategjisë deri në vitin 2030 pritet që numri total i netëqëndrimeve të arrijë në mbi 70 milionë, nga të cilat 27 milionë do të jenë në hotele dhe pjesa tjetër në apartamentet me qira afatshkurtra dhe strukturat akomoduese jo tregtare.