27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Kaosi i dërgesave online/ Ultra C.E.P lë më javë pako të pazhdoganuara

Futja e aktorëve privatë në shërbimin e dërgesave online ka krijuar një kaos duke lënë qindra qytetarë pa informacion se ku të tërheqin mallrat e blera. Kompania e parë në këtë treg ishte Albanian Courier, por së fundmi ka hyrë dhe një tjetër aktor privat që quhet Ultra C.E.P.

Vetë Albanian Courier deklaron se ajo ka dorëzuar me përpikmëri dhe pa vonesë të gjitha pakot postare në kohë të shpejtë, duke nënkuptuar se problemi nuk qëndron tek kjo kompani, por tek të tjerët.

“Duam të sigurojmë të gjithë klientët që kanë blerë në platformën e AliExpress, që dërgesat e mbërritura në Shqipëri nëpërmjet “Albanian Courier” që prej Korrikut 2024, janë procesuar me prioritet maksimal dhe shpërndahen në mbi 20 pika në Tirane dhe 50 të tjera në qytetet e tjera të Shqipërisë,” deklaroi kompania në një njoftim zyrtar.  

Dy kompanitë e tjera që bëjnë shpërndarje të pakove online janë Posta shqiptare dhe Ultra C.E.P.

Burime nga tregu thonë se Ultra C.E.P ka lënë prej javësh pa zhdoganuar një sasi të madhe pakosh online, ndërkohë që qytetarët nuk dinë ku të tërheqin produktet e blera.

Teksa kompanitë përpiqen që nën zë t’ia hedhin fajin njëra tjetrës për ngërccin e krijuar, mijëra qytetarë shqiptarë sillen rrotull në pamundësi për të të marrë produktet e blera dhe të paguara.

Deri pak muaj më parë, shërbimi i dërgesave për blerjet online ishte ekskluziv i postës shqiptare. Por nga vera e këtij viti në këtë treg kanë filluar të operojnë dhe operatorë privat, si Albanian Courier dhe Ultra C.E.P.

Ultra C.E.P është një kompani e themeluar në mesin e vitit 2022, që zotërohet nga Alkido Burnazi dhe Nertila Cela. Kjo kompania ka vetëm 680 mijë euro aktive në bilancin e saj dhe ka arritur të sigurojë nga Aliexpress kontratë për të shpërndarë pakot e saj në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *