27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Ministria e Financave përzgjedh Dechert si konsulent për eurobondin 650 milionë euro

Ministria e Financave po planifikon emetimin e mundshëm të një eurobondi të ri në muajt e mbetur të këtij viti. Së fundmi, ajo ka shpallur fitues propozimin e paraqitur nga kompania Dechert LLP, duke e përzgjedhur atë si konsulentin ligjor që do të sigurojë shërbimin e konsulencës ligjore në emetimin e shtatë të një eurobondi prej 650 milionë euro.

Pas shqyrtimit të të gjitha propozimeve të paraqitura nga konsulentët ligjorë nga data 10 tetor deri më 16 tetor, kompania Dechert LLP me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë, është konsideruar kompania më e mirë për ofrimin e kësaj konsulence ligjore.

Ndërkohë, në Planin Vjetor të Huamarrjes të publikuar në fillim të këtij viti, Ministria e Financave është shprehur paraprakisht që në rast se kushtet e tregjeve gjatë vitit 2024 do të jenë të favorshme, nuk përjashtohet mundësia e avancimit në kohë me emetimin përgjatë vitit buxhetor 2024 të një Eurobondi të ri, i cili është parashikuar në vitin buxhetor 2025.

Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria emetoi eurobondin e gjashtë në 13 vite, me një vlerë prej 600 milionë eurosh. Eurobondi i parë i emetuar nga qeveria shqiptare ka qenë në vitin 2010, me një shumë prej 300 milionë eurosh, kupon 7.5%, yield 7.625% si dhe afat maturimi 5-vjeçar. Borxh ky që tashmë është i mbyllur. Dalja e dytë ka qenë në vitin 2015, me një Eurobond prej 450 milionë eurosh dhe në vitin 2018 është shënuar dalja e tretë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh.

Në vitin 2020, Ministria e Financave ka emetuar një eurobond prej 650 milionë eurosh dhe një vit më pas, në 2021-shin është emetuar eurobondi i pestë, me kushte dhe vlerë thuajse identike me atë të vitit 2020.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *