25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Të nderuar donatorë; A ndiheni ju rehat kur suksesin e reformave në Shqipëri e vlerëson bashkëshortja e Kryeministrit?

Klodian Tomorri
Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi se ambicia e qeverisë së tij ishte që brenda vitit 2030, Shqipëria të tërhiqte 20 milionë turistë në vit. Pak ditë më parë, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, zonja Linda Rama, publikoi në rrjetet sociale studimin e saj më të fundit me titull “Tregu i Punës dhe Aftësitë përballë sfidës së 20 milion turistëve.” Pra, kryeministri shpall objektivat e zhvillimit të Shqipërisë, ndërsa bashkëshortja e tij i vlerëson ato.

Materiali përmbledhës i studimit niste me kryeministrin Edi Rama, kur ai vite më parë shpalli programin e Rilindjes Urbane për të nxitur turizmin, vazhdonte me lavdërimet e reformave dhe politikave të ndërmarra nga qeveria e tij gjatë këtyre 11 viteve dhe mbyllej me shkrimet e mediave ndërkombëtare, që e cilësonin Shqipërinë fanarin europian të turizmit. (Kliko këtu për materialin video të studimit të BERZH). Të gjithë të lumtur dhe të gëzuar. 

Nëse zonja Rama do të vlerësonte tregun e punës dhe suksesin e politikave të qeverisë në sektorin e turizmit për llogari të bashkëshortit të saj kryeministër, që ky i fundit të kishte një zë më tepër eksperti si input për vendimarrje, kjo nuk do të kishte asgjë të keqe. Problemi është se studimet e zonjës Rama kryhen për llogari të organizatave më më të rëndësishme botërore, të cilët janë dhe zërat më prestigjozë që vlerësojnë qeverisjen në Shqipëri.

Studimi për tregun e punës përballë sfidës së 20 milionë turistëve është kryer për llogari të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por BERZH nuk është donatori i vetëm, i cili ja ka besuar zonjës Rama vlerësimin e reformave dhe progresit në Shqipëri. Thuajse të gjitha studimet e UNDP-së në Shqipëri, po ashtu, kanë autorësinë e zonjës Rama dhe bashkëpunëtorës së saj Elena Polo. Nga vlerësimet për financat e zhvillimit e deri të analiza për pasojat e tërmetit. Organizata Botërore e Punës, po ashtu.

Studime e organizatave ndërkombëtare prestigjozë janë inputi kryesor mbi të cilin Shqipëria vlerësohet në arenën ndërkombëtare, Pra ato janë materialet mbi të cilat BERZH, UNDP, ILO dhe të tjerë i vënë notë progresit dhe qeverisjes në Shqipëri. Ndaj, pyetja që shtrohet natyrshëm është vetëm një; Sa të besueshme mund të jenë ato, kur kryhen nga një person i cili ndodhet në konflikt të hapur interesi?

Me apo pa vetëdije institucionet më të rëndësishme të botës kanë krijuar në Shqipëri një sistem të mbyllur, i cili tashmë po u heq shqiptarëve edhe mundësinë për t’u vlerësuar objektivisht nga ekspertë jashtë konfliktit të interesit. Megjithatë këtu vlen të theksohet diçka shumë qartë. Bashkëshortja e kryeministrit ka të gjithë të drejtën e saj të punojë si eksperte e BERZH, UNDP, Bankës Botërore e madje edhe e Departamentit të Shtetit dhe Komisionit Europian për të vlerësuar gjendjen e ekonomisë dhe ecurinë e reformave në Kazakistan, Gjermani apo dhe Shtetet e Bashkuara. Madje kjo do të ishte dhe motiv krenarie për Shqipërinë, që arrin të prodhojë ekspertë të këtyre niveleve.

Por nëse zonja Rama e bën këtë në Shqipëri, ka një problem shumë të madh. A ndihen rehat donatorët që të flasin në Shqipëri me zërin e bashkëshortes së kryeministrit?!

UNDP dhe BERZH janë ndër dy organizatat më prestigjoze të zhvillimit në botë, të cilat asistojnë vendet në zhvillim si të luftojnë korrupsionin dhe të shmangin konfliktin e interesit. Por siç pati thënë i madhi Koço Devole dikur në një nga skeçet e tij brilante, instancat paskan rënë vetë brenda në pusin e konfliktit të interesit.

Në Rumaninë komuniste, Elena Çaushesku, bashkëshortja e diktatorit rumun Nikolae Çaushesku, kishte një fiksim të papërmbajtshëm për t’u bërë shkencëtare. Për këtë qëllim, i gjithë aparati shtetëror në Rumani u vu në punë, jo vetëm për ta shpallur zonjën Çaushesku shkencëtare në Rumani, por edhe për ta afirmuar atë në mbarë botën.

Falë kësaj pune ajo arriti të merrte edhe titullin më prestigjoz shkencor në Europë, anëtarësimin në Shoqërinë Mbretërore Britanike. Megjithatë edhe fiksimet e marra të zonjës Çaushesku e kishin një kufi. Ajo kurrë nuk shkoi deri në pikën që të vlerësonte suksesin e politikave dhe reformave të bashkëshortit të saj për llogari të komunitetit ndërkombëtar.

Ndaj, nuk shkon që kjo të ndodhë sot në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *