Këtë sezon fermerët e Frakullës në Fier kanë reduktuar sipërfaqen e mbjellë me luleshtrydhe në sera, ç’ka do të sjellë më pak prodhim. Ndër shkaqet kryesore jane mungesa e fuqisë punëtore, mos shlyerja e faturave nga pikat e grumbullimit, çmimi i lartë i fidanëve e pesticideve dhe mungesa e subvencioneve.
“Problemi kryesor është mungesa e punëtorëve pastaj çmimet e helmeve që janë shumë të shtrenjta. Kisha 10 vite që kultivoja 1 hektarë me luleshtrydhe, por tashmë e kam ulur s’kam mundësi ta mbjell. Pikat e grumbullimit na kanë borxhe, s’na kanë dhënë lekët për prodhimin e sezonit të kaluar”, tha fermeri Alban Troka.
“Kam pasur 7 dynym, tani i kam ulur në 5 dynym për shkak se s’ka punëtorë dhe për mungesën e tregut. Është pazari i ulët”, u shpreh fermeri Elton Hysenaj.
“Sezonin e kaluar s’kam dalë mirë ndaj këtë sezon e reduktova sipërfaqen sepse shpenzimet janë të larta”, tha fermeri Nesti Troka.
Administratori i Frakullës Dashnor Troka tha për Report TV se sipërfaqja këtë sezon është reduktuar me 12 ha dhe fermerët e kanë zëvendësuar luleshtrydhen me lakër për shkak të kushteve të vështira financiare. Ai i bën thirrje institucioneve të monitorojnë skemën e subvencioneve pasi abuzimet nuk mungojnë.
“Në këto skema ndërhynë bizneset për interesat e tyre. Aplikojnë biznesmenët, bëjnë letrat dhe nuk përfitojnë fermerët. Ata përfitojnë para nga shteti dhe pastaj e shesin biznesin. Ndaj Ministria e Bujqësisë duhet ta monitorojë këtë situtatë”, tha Dashnor Troka administrator i njësisë administrative.
Ndërsa grumbulluesi Olsi Hamataj tha se Ministria e Bujqësisë duhet ndihmojë kultivuesit pasi vijnë nga një vit tepër i vështirë me humbje të mëdha.
“Ministrja e Bujqesisë Anila Denaj duhet të vijë këtu tek ne dhe të konsultohet para se të bëhet skema e re kombëtare e subvencioneve. Mbështetja 200 mijë lek për dynym është e papërfillshme, sepse fermeri e blen fidanin 2.5 milionë lek dhe merr 200 mijë lek, kjo shifër është e papërfillshme”,tha për Report TV, Olsi Hamataj grumbullues.
Frakulla njihet si ferma më e madhe e kultivimit të luleshtrydhes në vend . Një vit më parë numëronte 200 hektarë, ndërsa tashmë ka rënë në 188 hektarë. Me një prodhim deri në 900 ton në vit, 15% e prodhimit shkon për tregun vendas, ndërsa 85% për eksport. Shtetet ku eksportohet më së shumti janë Kosova, Mali i Zi, Polonia, Bullgaria, Rumania, Italia, Gjermania dhe Ukraina.
Report.tv
Shenim; Titulli eshte i redaksise.