27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Rama nuk zbatoi vendimin e Arbitrazhit, Beketi mund të fitojë 300 mln euro të tjera

Qeveria e Edi Ramës pritet të përballet me një gjobë të re nga Arbitrazhi Ndërkombëtar, e cila mund të arrijë mbi 300 milionë euro, pasi ka refuzuar që të zbatojë një vendim të formës së prerë për të paguar vullnetarisht sipërmarrësin italian, Francesko Beketi, në shumën 110 milionë euro.

Në janar të këtij viti, Beketi dhe bashkëpunëtorët e tij i janë drejtuar me një kërkesë të re Gjykatës së Arbitrazhit pasi qeveria shqiptare “ka dështuar për të përmbushur detyrimet e saj sipas Traktatit Itali-Shqipëri për Mbrojtjen e Investimeve, të miratuar në vitin 1991, nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit të Bankës Botërore (ICSID) “ARB 15/28”, si edhe nuk ka zbatuar vetë Konventën e Arbitrazhit”.

Biznesmeni italian u bë subjekt i persekutimit politik nga qeveria e Edi Ramës, duke filluar nga viti 2013, për shkak të linjës editoriale që mbante televizioni “Agon Channel”, në pronësi të tij.

Sulmi qeveritar mbi Beketin u bë objekt shqyrtimi gjyqësor pranë Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, u konstatua se qeveria shqiptare përdori hetime të pabazuara për pastrimin e parave ndaj Beketit, duke e kërcënuar për arrestim të pabazë, si edhe duke i mohuar një proces të rregullt ligjor në Shqipëri.

Këto shkelje u konfirmuan nga vendimi i Arbitrazhit Ndërkombëtar, në prill të vitit 2019, në të cilën Shqipëria u gjet fajtore për “abuzim të kompetencave policore për motive që nuk ishin në mirëbesim dhe në interes të publikut”. Në përfundim qeveria shqiptare u ngarkua me një penalitet në shumën 110 milionë euro, të cilat i duheshin paguar Beketit e bashkëpunëtorëve të tij.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se nuk do t’i japë asnjë cent Beketit dhe qeveria e drejtuar prej tij nuk ka zbatuar vendimin e Arbitrazhit.

Në vitin 2021 dhe 2023, qeveria “Rama” dështoi në dy tentativa për anulimin dhe më tej rishikimin e vendimit të Arbitrazhit. Gjykata konfirmoi përfundimisht se qeveria shqiptare duhet të paguajë gjobvën 110 milionë euro, plus shtesa të tjera për aspekte proceduriale.

Por, qeveria e Edi Ramës ka vijuar me kokëfortësi që të mos zbatojë vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Arbitrazhit, duke krijuar premisa që Shqipëria të marrë një tjetër gjobë të majme për shkak të mosveprimeve të saj.

Pak ditë më parë, “Syri Televizion” raportoi në mënyrë ekskluzive se, pas kërkesës së Beketit, Gjykata e Ekzekutive në Bruksel vuri në zbatimin konfiskimin në favor të biznesmenit italian të shumës prej 76 milionë euro, të mbledhura në llogaritë e kompanisë ajrore shqiptare “Albcontrol” pranë shoqërisë ajrore europiane “Eurocontrol”. Kjo shumë është krijuar nga tarifat që paguajnë shoqëritë e huaja të fluturimeve për ulje-ngritje dhe tranzitim në hapësirën ajrore shqiptare.

© SYRI.net

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *