27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Malaj pranon shtyrjen e rivlerësimit pas 2025-ës

Ministri i Financave Petrit Malaj konfirmoi se projektligji që u jep mundësi qytetarëve të rivlerësojnë pronat me taksë të zbutur është shtyrë për pas vitit 2025.

“Rivlerësimi i pasurive te paluajtshme do të bëhet paralelisht me caktimin e çmimeve të referencës për gjithë territorin e Shqipërisë, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë. Është një proces që do të zgjasë përgjatë vitit të ardhshëm kur të bëhen referencat e reja”, u shpreh ministri Malaj në Komisionin e Veprimtarisë duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve.

Ministria e Financave e bllokoi miratimin e ligjit për rivlerësimin me argumentin se më parë duhet të riste çmimet e referencës në të gjithë territorin e Shqipërisë, pas rritjes së tyre në Tiranë.

Sipas ministrisë, fillimisht do caktohen çmimet e reja të referencës dhe vetëm më pas do të nisë rivleësimi, me qëllim që të përfitojnë të gjithë qytetarët nga taksa e zbutur. Kryeministri Edi Rama kishte lajmëruar publikisht se rivlerësimi do të hynte në fuqi në shtator të këtij viti me taksën e zbutur 5 për qind. Por ky rezultoi një premtim i gënjeshtërt pasi nisma tashmë është shtyrë për në kalendat greke, me shumë gjasa në 1 janar të vitit 2026.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *