Nga Scan TV
Shqipëria është në bisedime me Pentagonin për t’u përfshirë në një program financimi që do të mundësojë realizimin e investimeve të nevojshme për rritjen e fuqisë së zjarrit, sistemeve të mbrojtjes kundërajrore etj. Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në emisionin DATAROOM në SCAN me gazetarin Kreshnik Kuçaj. Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të ndjekë modelin e ndjekur fillimisht nga Polonia e së fundmi edhe nga Rumania.
“Mbrojtja kundërajrore është një hap domethënës që duhet ndërmarrë, i kushtueshëm. Ndaj dhe risia e buxhetit që do miratojmë parashikon dhe mundësinë që ne të mund të marrim edhe financim të huaj.
Ka disa instrumente së fundmi që janë tepër interesantë, kryesisht nga partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi në bisedime me Pentagonin dhe me strukturat e bashkëpunimit ushtarak, në mënyrë që të mund të përfitojmë dhe ne nga mundësia e kredive të buta që jepen nga Shtetet e Bashkuara për rritjen e kapacitevete të forcave tona.
Flasim për fuqi zjarri, sisteme, për investime të mirëfillta. Janë instrumente interesantë nga pikëpamja e lehtësisë financiare, garancisë që ofrohet. Janë kredi të buta, praktikisht.
Disa vende aleate i kanë ndërmarrë këto iniciativa dhe kanë ecur me ritme të kënaqshme përsa i përket investimeve. Polonia ka qenë pioner e kësaj mundësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, edhe Rumania së fundmi. Dhe besoj se edhe Shqipëria do të duhet të kalojë nga kjo faze”, deklaroi Vengu.
Për herë të parë, gjatë viti 2024 Shqipëria plotësoi udhëzimin e vendosur në vitin 2014 nga NATO që vendet anëtare të arrijnë nivelin 2 % të GDP-së si investime për mbrojtjen. Edhe në vitin 2025, në buxhetin që po diskutohet në Kuvend, parashikohet që kjo shifër të rritet më tej. Në listën e investimeve janë sisteme të mbrojtjes kundërajrore, transpondera ushtarakë, sisteme komunikimi tokë-ajër, pajime ushtarake, anije luftarake, avionë për emergjencat civile etj.