26 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Rama nuk di ku të çojë paratë/ Sufiçiti i buxhetit arrin në mbi 720 milionë euro

Buxheti i shtetit është shndërruar në një instrument që grumbullon paratë e qytetarëve dhe i çon të flenë në dyshekët e qeverisë. Të dhënat e fundit zyrtare nga ministria e Financave tregojnë se deri në fund të 10 mujorit, bilanci i qeverisë u mbyll me 720 milionë euro suficit.

“Të ardhurat totale, për 10-mujorin e vitit 2024, arritën në rreth 589 miliardë lekë. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 517 miliardë lekë,” raportoi ministria e Financave.

Për gjithë vitin 2024, qeveria ka programuar një deficit buxhetor prej 57 miliardë lekësh ose 570 milionë euro. Kjo do të thotë se për dy muajt e fundit të vitit, qeveria duhet të konsumojë të paktën 1.3 miliardë euro stimul fiskal për të respektuar planin e buxhetit.

Kryeministri Edi Rama ka premtuar një fond 100 milionë euro për bonusin e pensionistëve në fund të vitit. Ndërkohë pjesa tjetër me gjasa do të ezaurohet përmes traditës tashmë të konsoliduar të akteve normative në ditët e fundit të vitit.

Akumulimi krejtësisht i panevojshëm i fondeve të konsiderueshme në llogarinë e qeverisë në bankën qendrore, për shkak të moszbatimit të planit të shpenzimeve buxhetore nga ana e ministrive të linjës ka ngritur shumë pikëpyetje mbi cilësinë e menaxhimit të financave publike.

Problemi nuk qëndron vetëm në faktin që investimet e planifikuara nuk po kryhen, duke i hequr ekonomisë qarkullimin e një shume të majme parash, por edhe te fakti që suficiti buxhetor duket se ka një ndikim në kursin e këmbimit, duke mbajtur lekë jashtë tregut dhe duke shkaktuar forcim të lekut përballë euros.

Me shumë gjasa edhe ky vit do të regjistrojë të njëjtin fenomen të viteve të kaluara. Atë të përqëndrimit të shpenzimeve buxhetore në dy muajt e fundit të vitit. Një tjetër fenomen që përforcon dyshimet mbi menaxhimin e financave të shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *