Një firmë gjermane do të auditojë dhënien e fondeve nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, e cila u ka dhënë në mënyrë të padrejtë miliona euro politikanëve, njerëzve të lidhur me to apo edhe biznesmenëve të mëdhej për zhvillimin bujqësor. Ministria e Financave ka shpallur fituesin e këtij tenderi, të hapur disa javë më parë, të publikuar edhe nga redaksia e VoxNews.
Ndërkohë, në dokumentet e shpallura së fundmi, vërehet se firma gjermane ka pasur një fond më të madh se një firmë tjetër, por kriteri “punë të ngjashme” i ka shpallur edhe fitues.
Dokumenti i mësipërm është shpallja e fituesit të tenderit, të shpallur nga Ministria e Drejtësisë. Objekti i tenderit ishte “auditimi i jashtëm (auditimi forensic) për të vlerësuar zbatimin e Programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri”.
“Afati i zbatimit të kontratës është 165 ditë nga data e lidhjes së kontratës. Me anë të këtij formulari ju informojmë se, në këtë procedurë/lot kanë marrë pjesë, ‘FTI Consulting Germany GmbH’, me vlerë oferte 376.800 euro pa TVSH. Firma e dytë që mori pjesë ishte ‘Forvis Mazars’ me vlerë oferte 29.800.000 lekë pa TVSH” thuhet në dokumente. Pra, dukshëm shumë herë më ulët sesa firma e parë gjermane.
Në të njëjta dokumente shkruhet se nga pjesëmarrësit është skualifikuar “Forvis Mazars”, për shkak se “s’ka punë të ngjashme”. “Operatorit ekonomik nuk plotëson kriterin për kualifikim lidhur me eksperiencën e mëparshme të ngjashme të realizuar. Është kërkuar që operatori ekonomik duhet të dëshmojë kryerjen e shërbimeve të mëparshme të ngjashme me vlerë jo më të vogël se 39 % e fondit limit objekt prokurimi, të realizuar gjatë tre viteve të fundit” thuhet në këto dokumente.
Sipas ministrisë, kjo firmë, “Forvis Mazars Albania”, pjesë e rrjetit Mazars, është më shumë e fokusuar në auditime ligjore, kryesisht në Kosovë, Turqi, dhe Ballkanin Perëndimor, duke pasur një prani të kufizuar në projektet komplekse ‘forensic’. “Pavarësisht kontraktimit të ekspertëve të huaj me eksperiencë në ‘forensic’, vetë kompania ‘Forvis Mazars Albania’ nuk ka ekspertizë të thelluar në organizimin dhe kryerjen e auditimin ‘forensic’, si dhe nuk ka paraqitur dokumentacion provues, vërtetime dhe ose fatura, që të provojë eksperiencën e ngjashme” shkruan ministria, duke ia dhënë “aforfe” tenderin firmës gjermane, pavarësisht se ofroi 99 % të fondit limit.
Voxnews