17 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Rama tregon barcaleta/ Serbia do të japë 1 miliardë euro subvencione direkte për fermerët vitin e ardhshëm

Qeveria e Serbisë ka planifikuar të japë 1.3 miliardë euro për bujqësinë gjatë vitit të ardhshëm duke shënuar një mbështetje rekord për fermerët. Shifrat janë bërë publike në buxhetin e shtetit për vitin 2025.

Sipas planit të detajuar financiar, pjesa dërrmuese ose 950 milionë euro do të jenë subvencione të drejtëpërdrejta për të mbështetur fermerët me para falas nga shteti, ndërkohë që pjesa tjetër mbulon investimet publike dhe kostot administrative.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Aleksandar Martinoviq, theksoi se Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të investojë në forcimin e sektorit të bujqësisë, me qëllim të zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme dhe konkurruese dhe ofrimin e mbështetjes për prodhuesit serbë në vendosjen e produkteve të tyre në tregjet e brendshme, evropiane dhe globale të ushqimit.

Ai shprehu edhe një herë mirënjohjen e tij për Presidentin e Republikës, Aleksandar Vuçiq dhe gjithë Qeverinë e Serbisë, të cilët kanë treguar mirëkuptim të madh për fermerët vendas dhe kanë njohur sektorin e bujqësisë si një degë strategjike të ekonomisë sonë që mund të kontribuojë në rritjen e produktit të brendshëm bruto.

Duke marrë parasysh situatën e këtij viti në tregun bujqësor dhe reduktimin e rendimenteve të kulturave kryesore të arave, krahas rritjes së kostove të prodhimit, Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet zbatimit të masës Stimulimi Bazë për Prodhimin Bimor, mbështeti stabilitetin e të ardhurave të prodhuesve, inkurajoi prodhimin e bimëve dhe një nivel më të lartë rendimenti, si dhe cilësinë e produktit, duke përmirësuar produktivitetin dhe duke ulur kostot e prodhimit.

Gjithashtu, duke rritur masën e pagesës për hektar, Ministria mbështeti rritjen e konkurrencës së prodhuesve bujqësorë dhe i mbrojti ata nga pasojat e uljes së rendimentit.

Veç fondeve që fermerët serbë përfitojnë drejtëpërdrejtë nga buxheti i shtetit, ata do të marrin edhe 288 milionë euro të tjera nga programi IPARD III, gjatë 5 viteve të ardhshme. Këto shifra agresive të mbështetjes së bujqësisë e bëjnë buxhetin që jep qeveria shqiptare për fermerët të duket qesharak.

Për gjithë vitin e ardhshëm qeveria shqiptare ka parashikuar në total 145 milionë euro për sektorin e bujqësisë, nga të cilat vetëm 40 milionë euro janë subvencione direkte për fermerët. Plot 25 herë më pak se sa grantet që do të marrin konkurrentët e tyre në Serbi.

Megjithatë pavarësisht mbështetjes kaq të madhe qeveria e Serbisë ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga fermerët, të cilët përmes protestave masive kanë kërkuar më shumë para nga buxheti. Ndërsa në Shqipëri situata duket e qetë. Fermerët shqiptarë nuk ndihen pavarësisht se marrin lëmoshë nga buxheti i qeverisë dhe “Noc Rrokun” nga fondet e Bashkimit Europian, të cilat prej më shumë se një viti e gjysmë janë ndërprerë për shkak se u vodhën nga zyrtarët e qeverisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *