Investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë vijuar rritjen edhe në tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se fluksi i investimeve ka arritur në 411 milionë euro, rreth 4% më shumë se në periudhën prill-qershor, por në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, vlera e investimeve të huaja direkte është e njëjtë, pa asnjë rritje, apo rënie të fluksit.
Në nëntë muaj, vlera e përgjithshme e fluksit të investimeve të huaja direkte llogaritet në 1.1 miliardë euro.
Por, në cilët sektorë janë përqendruar investimet e huaja?
Nga statistikat e Bankës së Shqipërisë rezulton se sektori me fluksin më të madh të investimeve janë sërish pasuritë e paluajtshme, ndjekur nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Konkretisht, investimet në pasuri të paluajtshme llogariten në 88 milionë euro duke përbërë 21.4% të totalit të investimeve. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, apo me periudhën prill-qershor 2024, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen me rënie.
Ndërkohë, investimet në aktivitete financiare dhe të sigurimit janë ato që kanë kontribuar më tepër në rritjen e totalit të investimeve në këtë tremujor, duke arritur në 80 milionë euro ose 53% më shumë se në tremujorin pararendës.
Për sa i përket sektorëve të tjerë, vlera e investimeve në industrinë nxjerrëse llogaritet në 60 milionë euro, në energjinë elektrike, gaz, dhe furnizim me ujë rreth 57 milionë euro dhe në industrinë përpunuese rreth 48 milionë euro.
Scan tv