Enti Rregullator vendosi të ulë me 1 lekë çmimin e energjisë elektrike për familjet, të cilat konsumojnë më pak se 700 kilovat orë energji në muaj. çmimi i ri i miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure hyn në fuqi nga data 1 shkurt dhe rikthen sistemin e tarifimit me fasha, të cilën qeveria e hoqi në vitin 2014. Madje këtë herë thyerja e fashës është edhe më e madhe.
Sipas vendimit, familjet të cilat kanë konsum deri në 700 kilovat orë në muaj do të paguajnë 8.5 lekë për kilovat pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar ose 10.2 lekë për kilovat me tvsh, nga 11.4 lekë që është çmimi aktual.
Ndërsa familjet të cila kanë konsum mbi 700 kilovat orë në muaj do të vazhdojnë të paguajnë sërish çmimin 11.4 lekë me tvsh për të gjithë sasinë e konsumuar.
Thyerja e madhe e çmimit në pragun e konsumit 700 kilovat orë në muaj rikthen sërish shqetësimet për abuzime. Nga 1 shkurti një familje e cila konsumon 700 kilovat orë energji do të paguajë një faturë prej 7140 lekësh se bashku me tatimin mbi vlerën e shtuar. Por një familje e cila konsumon 701 kilovat orë në muaj do të paguajë një faturë prej 7991 lekësh.
Pra ndonëse diferenca në konsum është vetëm 1 kilovat orë, diferenca në faturë me tarifimin e ri shkon në 850 lekë.
Në vitin 2014, kur vendosi të heqë fashat e tarifimit dhe të unifikojë çmimin e energjisë në 9.5 lekë për kilovat, pavarësisht konsumit, qeveria dhe ERE e justifikuan me faktin që njëhsimi i çmimit i jepte fund abuzimeve dhe vjedhjeve të energjisë.
Tani kjo situatë rikthehet sërish, pasi familjet me konsum më të lartë se 700 kilovat orë në muaj kanë incentivë shumë të fortë për të ndarë konsumin me dy sahate ose të gjejnë mënyra të tjera për t’i shpëtuar tarifës më të lartë.