Disa muaj pasi është lançuar nga Kryeministri Rama, Paketa e Maleve, një instrument mbështetjeje nga qeveria për të gjithë ata që duan të investojnë në zonat malorë, sidomos në turizëm, është miratuar nga Këshilli i Ministrave. Lajmin e dhanë ministrat Blendi Gonxhja dhe Arbër Mazniku që i bënë thirrje diasporës të vijë e të investojë në këto zona dhe të përfitojnë nga lehtësirat.
“Mua do të më pëlqente ta quaja një nismë për ekonominë e maleve, që është një nismë që sjell një qasje alternative për të ndihmuar që ekonomia malore që ka ngelur pas ekonomisë të zonave urbane dhe zonave bregdetare të mund ta nxisim e ta shohim me përparësi duke shkuar më thellë në zonat rurale që kanë një potencial zhvillimi.
Do të lehtësonim dhe të nxisnim që të kishim edhe diasporën dhe kthimin e shumë shqiptarëve, për t’u kthyer në tokat e të parëve edhe nga jashtë vendit ku ata mund të jenë sot, për të zhvilluar projekte që më pas ne do të bënim të mundur që t’i ndihmonim që të kishin një ecuri më të shpejtë miratimi dhe zbatimi të këtyre investimeve në zona që ne do t’i shpallim zona me përparësi dhe me një nevojë prioritare për një zhvillim ekonomik të mbështetur nga këto instumente që ne propozojmë me këtë projektligj”, tha Gonxhja.
Ministri Mazniku tha se miratimi i projektligjit të njohur si ‘Paketa e maleve” ofron lehtësi fiskale, për të ndihmuar ekonominë malore të zhvillohet
“Malet mbeten burime të mëdhaja të mjedisit, burim i nënpërdorur. Paketa krijon një sinergji mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor për zhvillimin turistik të gjithë maleve. Bashkitë të propozojnë zona për zhvillim malor dhe përfitojnë me ligj përparësi duke filluar nga lehtësira fiskale, zgjidhin probleme me pronësinë dhe thjeshtojnë lejet për këto zhvillime. Zgjidhin zoonimin, incentivat fiskale, lejet për këto zonat. Qytetarët, investitorët, diaspora të orientojnë qëndrimin drej maleve. Do i japi zhvillim maleve” tha Mazniku
Në mbledhjen e qeverisë këtë të enjte, Qeveria gjithashtu miratoi projektligjin i cili shtyn deri në dhjetor 2027 afatin për shqyrtimin e kërkesave për kompesimin financiar të ish pronarëve, afat që përfundonte në dhjetor të 2024, ndërsa deri në fund të 2028 do të jetë edhe afati për kompensimin.