Një kompani shqiptare e quajtur Vertigo do të ndërtojë në Xhafzotaj të Shijakut një zonë Teknologjike të Zhvillimit Ekonomik. Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar statusin e investimit strategjik për projektin, i cili parashikon një investim prej 15.6 milionë eurosh. Vertigo është një kompani që zotërohet nga Filip Xharra.
“Subjekti aplikues propozon zhvillimin e projektit Zona Teknologjike dhe e Zhvillimit Ekonomik në fshatin Xhafzotaj, Bashkia Shijak, në sektorin e prodhimit, përpunimit, tregtisë dhe shërbimeve duke përfshirë industrinë automotive, e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, e pajisjeve agroindustriale, etj,” thuhet në vendimin e Komitetit.
Sipas dokumentave të bëra publike, zona do të shtrihet në një sipërfaqe totale prej 13.5 hektarë, nga të cilat 13,4 ha janë në pronësi “private” të subjektit propozues dhe prej 0,1 ha pronësi “shtet”.
Sipas kompanisë, projekti parashikon realizimin e një Zone të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, e cila synon të zgjerojë gamën e industrive operuese në treg, duke krijuar diversifikim për të tërhequr industri prodhuese komplekse, siç janë industria automotive, e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, e pajisjeve agroindustriale, etj.
Kjo është hera e parë që qeveria shqiptare tenton ndërtimin e një Zonë Teknologjike përmes privatit. Deri më tani Shqipëria ka dy zona të tilla në projekt, njëri në Kashar të Tiranës dhe tjetri në Spitallë të Durrësit. Por të dy po ndërtohen nga institucione publike.
Kashari
Në fund të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, Tiranë, të një territori me sipërfaqe 35 hektarë dhe shpalljen e Bashkisë së Tiranës si zhvillues të zonës.
Projekti përfshinë zonën e Kasharit në kryeqytet dhe synon tërheqjen e industrisë prodhuese si asaj të automobilëve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisjeve elektronike, farmaceutike, agropërpunuese si dhe industrive të tjera që operojnë me standard ndërkombëtare.
Projekti i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në vitin 2020 dhe nga Këshilli i Ministrave, parashikon se periudha e funksionimit të “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të jetë 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet. Në vitin 2023, Bashkia e Tiranës kontraktoi kompaninë Salillari për ndërtimin e infrastrukturës të zonës, një kontratë me vlerë 3.2 milionë euro.
Ndërkohë në verën e vitit të kaluar Bashkia tenderoi edhe 6.4 milionë euro të tjera për ndërtimin e ambienteve të shërbimit të zonës, përfshirë parkingjet. Tenderi u fitua nga Pepa Group dhe Ulza. Por deri më tani, zona ende nuk ka aktivitet ekonomik.
Durana
Zona tjetër teknologjike, ajo e Spitallës, është në një fazë më të prapambetur pasi tentativat për zhvillimin e saj kanë dështuar disa herë.
Në fillim të vitit të kaluar, Korporata e Investimeve Shqiptare shpalli procedurën për zhvillimin e parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”. Projekti që synon të shtrihet në një sipërfaqe prej 140 mijë metrash katrorë në Spitallë të Durrësit parashikon kryerjen e sërë veprimtarish në fushën e programimit, të sistemeve të komunikimit dhe sigurisë, kërkimit të programeve inovative dhe veprimtari të tjera në fushën e teknologjisë së informacionit.
Por thirrja e parë dështoi për shkak se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme. Korporata e rishpalli thirrjen në fund të muajit maj, ndërkohë që nuk dihet se cili është rezultati i saj.
Sipas ligjit, ato kompani të cilat marrin statusin e përdoruesit në Parqet Teknologjike dhe Shkencore përjashtohen nga tatimi mbi fitimi për 15 vjet. Po ashtu punonjësit e tyre do të përjashtohen nga taksimi i pagës po për 15 vjet.
Vetë territori i parkut konsiderohet si zonë e lirë doganore dhe furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në Park, konsiderohen si furnizim për eksport me shkallë zero, në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe dhe legjislacionit doganor.