Klodian Tomorri
Një muaj më parë, saktësisht në 13 dhjetor, Autoriteti Rrugor Shqiptar nënshkroi me kompaninë Salillari kontratën për ndërtimin e aksit Elbasan-Papërr me vlerë totale 20 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Dhe paratë nuk vonuan.
Katër ditë më parë thesari i shtetit autorizoi një transfertë me vlerë 1 milionë euro në llogarinë e kompanisë Salillari si pagesë për ndërtimin e rrugës Elbasan Paper. E megjithatë, ajo e ARRSH-së nuk ishte pagesa e vetme që kompania përfitoi për punë ende të pakryer. Një tjetër pagesë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte edhe më flagrante.
Në 27 nëntor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli fituese kompaninë Salillari për ndërtimin e një hoteli dhe parkimi në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Kontrata me vlerë 12 milionë euro u lidh në dhjetor. Ndërkohë në datën 14 janar Fondi Shqiptar derdhi 2,5 milionë euro në llogarinë e kompanisë për këtë kontratë.
Ironikisht ditën që Dritan Agolli derdhe miliarda në llogaritë e Salillarit, Parkimi i QSUT u vizitua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e tij e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Përveç rrethimit, në kantier nuk ishte kryer asnjë punë, jo më 2.5 milionë euro sa pagoi thesari.
Por kompania Salillari është vetëm një rast nga të mëdhënjtë e buxhetit që ditët e fundit kanë marrë para për punë të pakryera. Kompania Gjikuria, një tjetër përfitues i madh i fondeve buxhetore, u pagua 2.4 milionë euro për rindërtimin e aksit rrugor Maliq-Lozhan.
Ndërtimi i kësaj rruge ka filluar në fund të vitit 2022. Por pagesa 2.4 milionë euro për kompaninë ishte shtesë mbi vlerën e tenderit fillestar si pasojë e modifimit të kontratës. Kontrata e modifikuar me vlerë 2.4 milionë euro u nënshkrua vetëm në datën 10 dhjetor.
Fusha, 4 A-M, Zdrava ishin disa nga kompanitë e tjera që morën miliarda lekë paradhënie për punë të pakryera në ditët e para të këtij viti.
Ligji i buxhetit autorizon që në raste specifike qeveria mund të paguajë paradhënie për kontraktorët e saj privatë deri në 10 për qind të kontratës. Por kjo mund të bëhet vetëm me autorizim të thesarit të shtetit. Këtë herë rastet specifike u bënë shumë. Dhe kjo e bën pagimin në avancë një biznes të madh.
Në realitetin shqiptar, marrja e parave nga buxheti nuk është e lehtë, edhe atëherë kur kontrata është ekzekutuar. Kjo situatë çoi që në disa raste drejtuesit e institucioneve publike të krijonin biznese informale faktoringu duke u paguar paratë kompanive private, kundrejt një përqindje të caktuar komisioni.
Në raste të tjera, bizneset janë detyruar të japin rryshfet tek drejtuesit e institucioneve për të marrë pagesat që u takonin për punë të kryera. Ndërsa kur paratë jepen në avancë, dyshimet për rryshfet janë edhe më të mëdha.
Por teksa Gjyla i ARRSH-së, Agolli i Fondit Shqiptar dhe Thesari i shtetit shpërndanë miliarda lekë paradhënie për peshkaqenët e buxhetit, mijëra qytetarë shqiptarë presin me vite të tëra për të marrë paratë e shpronësimeve edhe kur qeveria i ka nxjerrë në rrugë duke u prishur banesat e tyre.