Kompania më e madhe ajrore e Spanjës, Vueling, do të nisë fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës duke filluar nga data 1 korrik. Sipas njofimit zyrtar të kompanisë, Vueling do të fluturojë 4 herë në jave nga Tirana në Barcelonë dhe anasjelltas, ndërsa rezervimi i biletave ka filluar tashmë në faqen zyrtare të kompanisë.
Vueling është kompania ajrore më e madhe në tregun spanjoll përsa i përket flotës së avionëve dhe numrit të destinacioneve. Pjesë e grupit IAG, (International Airline Group) ku bëjnë pjesë kompani si Iberia dhe British Airways, paraqet edhe një mundësi për lidhje të mëtejshme transoqeanike me Atlantikun Verior dhe Amerikën Latine.
Vueling mban vendin e parë në aeroportin e Barcelonës gjatë muajit janar 2025, me gati 10,000 fluturime dhe një nivel rekord të përpikmërisë në nisje prej 91.2%.
Për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ky zhvillim forcon partneritetin me grupin IAG, shton numrin e linjave partnere si dhe rrit fluksin e fluturimeve direkte drejt qyteteve kryesore të Spanjës.
Piervittorio Farabbi, Administrator dhe Drejtor operacional i TIA-s u shpreh: “Mirëpresim Vueling në Shqipëri. Për ne do të thotë zgjerim më tej i lidhjeve tona direkte me Evropën dhe më shumë mundësi zgjedhjeje për pasagjerët tanë. Fillimi i operimit të Vueling në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës forcon më tej marrëdhëniet turistike dhe të biznesit mes dy vendeve”.
Sipas Jordi Pla, Drejtorit të Rrjetit dhe Strategjisë në Vueling, këto linja të reja jo vetëm që forcojnë bazën kryesore të kompanisë, por konsolidojnë angazhimin për të lidhur Barcelonën me destinacione unike ndërkombëtare. “Këtë verë – u shpreh ai -ne po vazhdojmë të rrisim kapacitetet tona duke shtuar më shumë se 1 milion ulëse për destinacionet kombëtare dhe ndërkombëtare.”
Kompania Vueling operon 149 destinacione në 48 vende të botës. Në rang evropian, Vueling është renditur si kompania e tretë më e përpiktë, me një normë përpikmërie prej 87.3% të fluturimeve të nisura pa vonesa.