12 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Miratohet hapja e zyrës së BEI në Shqipëri/ Yzeiri: Ofrohen kredi me interesa më të ulëta se institucionet e tjera

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve për hapjen e përfaqësisë së këtij institucioni në Shqipëri.

Banka Evropiane e Investimeve, e cila është në pronësi të 27 qeverive të BE-së, si një nga investitorët dhe kreditorët më të mëdhenj globalisht, siguron fonde të konsiderueshme nga tregjet e kapitalit, të cilat më pas i jep hua me norma të favorshme për projektet që plotësojnë kriteret e saj.

Endrit Yzeiraj, Zëvendësministër për Punët e Jashtme:

“Banka Evropiane e Investimeve ndihmon me ngritjen e fondeve nga sektori publik për projekte zhvillimore, si brenda BE-së, ashtu edhe në vendet pranë saj. BEI ka investuar deri më sot 458 milionë euro. Shumica e investimeve janë kryer në infrastrukturë dhe energji, por edhe në linjat hekurudhore. BEI është një institucion shumë i rëndësishëm nga i cili Shqipëria mund të përfitojë. Ajo është e interesuar për të hapur zyrën e saj në Tiranë dhe do të ketë të njëjtin status diplomatik si zyra të tjera të delegacionit të Bashkimit Evropian.”

Ardhja e Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri tregon avancimin e vendit drejt rrugës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë mënyrë, Shqipëria bëhet vendi i dytë në rajon, pas Serbisë, që do të ketë një zyrë të këtij institucioni.

Milva Ekonomi, Deputete e PS:

“Ajo që synohet është që BEI të ketë një zyrë përfaqësimi në Shqipëri. Në fakt, BEI është një institucion i rëndësishëm për shkak të investimeve që ka kryer në Shqipëri në projekte të transportit, ujit apo energjisë. Prezenca e BEI-së nxit ardhjen e investitorëve strategjikë. Ardhja e BEI-së tregon se ky institucion e sheh Shqipërinë si një vend me potencial për zhvillimin e këtyre projekteve dhe është një shenjë e mirë për ekonominë e vendit.”

BEI ka nisur financimin e saj në Shqipëri nëpërmjet kredive që në vitin 1995. Deri tani, vlera e zotuar nga banka për financimin e projekteve nëpërmjet kredive është 457.95 milionë euro, ku pjesën më të madhe e zënë investimet në sektorin e transportit me 56.28%, sektorin e furnizimit me ujë me 23.37%, sektorin e energjisë me 15.29% dhe sektorë të tjerë me 5.07%.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *