12 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Rritet me 4.7% borxhi tatimor, 1.62 miliardë euro detyrime të papaguara në fund të vitit 2024

Në fund të vitit 2024, detyrimet tatimore të papaguara janë rritur më tej, duke arritur në 162.5 miliardë lekë, ose 1.62 miliardë euro, ose 4.7% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Në vlerë nominale, detyrimet u rritën me 7.37 miliardë lekë gjatë vitit 2024, nga 155.2 miliardë lekë që ishin në fund të 2023.

Referuar të dhënave nga tatimet, të cilat i disponon ekofin.al, pjesa e principalit të detyrimeve zë 62% të shumës totale, ndërkohë që pjesa tjetër, prej 38% janë penalitete dhe kamatëvonesa. Kjo edhe për shkak se pjesa e mëdha e borxhit tatimor është e vjetër, ku psh borxhi mbi 5 vjet llogaritet në 104 miliardë lekë.

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 35% në vlerë 57.17 miliardë lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% ose 47.18 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 15% ose 24.4 miliardë lekë të pambledhura, Të Tjera me 15% ose 24 miliardë lekë, Tatimi në Burim me 4% ose 6.45 miliardë lekë, TAP me 2% ose 2.66 miliardë lekë dhe DIVA me 0.4%, ose 636 milionë lekë.

Krahasuar me fundin e vitit 2023, gjatë këtij viti, rritja më e madhe e borxhit tatimor u shënua sa i përket tatim fitimit, me 2.38 miliardë lekë, ndjekur nga TVSH me 1.9 miliardë lekë dhe Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore me 1.89 miliardë lekë. Ndërsa, zërat e tjerë tatimore shënuan një rritje më të vogël.

Gjithashtu, vihet re se pjesa më e madhe e borxheve që bizneset i kanë tatimeve i referohet atyre tatimpaguesve që janë me status pasiv, duke nënkuptuar që një pjesë e konsiderueshme e këtyre borxheve janë të parikuperueshme, edhe pse nuk janë fshirë prej vitesh nga regjistrat tatimore, për shkak se nuk është ndërmarrë prej vitesh një aministi fiskale.

Kështu, tatimpaguesit aktivë që kanë borxhe janë në masën 40% të totalit të debitorëve, me një vlerë borxhi prej 41.6%, ose 26% e totalit të borxhit. Ndërsa tatimpaguesit pasivë zënë 60% të numrit total të tatimpaguesve debitorë, me një vlerë borxhi prej 121 miliardë lekë, ose 74% e totalit të borxhit.

/ekofin.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *