12 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

KPP bllokon pazarin 7 mln euro të Pirro Vengut/ Petrit Patushi dhe Arbër Abazi palosin Salillarin për bazën e Farkës

Tenderi me vlerë 7 milionë euro për bazën e helikopterëve në Farkë ka hapur një sherr të madh mes një grupi kompanish. Në tenderin e zhvilluar në fund të vitit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes skualifikoi 5 ofertat me vlerë më të ulët dhe vendosi të shpallë fituese kompaninë Salillari, e cila kishte ofruar çmimin e dytë më të shtrenjtë, gati 6.4 milionë euro.

Sapo Pirro Vengu shpalli fitues Salillarin, tenderin u ankimua menjëherë në Komisionin e Prokurimit nga dy bashkime kompanish. Ankimimi i parë u bë nga bashkimi i kompanive mes “Agri Construction”, “Alko Impex Construction” dhe “Bami Holding” SHPK, të cilat kishin ofertuar ta realizonin kontratën me çmimin 5.4 milionë euro ose gati 1 milionë euro më pak se sa oferta fituese e Salillarit.

Ndërsa ankesa e dytë u bë nga bashkimi i kompanive “BE-IS”, “Rruga Ura Asfaltim Nr.2 Elbasan” dhe “ERGI”, të cilat kishin paraqitur ofertën 5.7 milionë euro.

Pas shqyrtimit të dokumentave, Komisioni i Prokurimit Publik i gjeti të paligjshme skualifikimet e ofertave më të ulëta. KPP i pranoi pjesërisht të dy ankesat, vendosi që në vend të ndryshimit të fituesit, të urdhërojë ministrinë e Mbrojtjes që të anullojë mënjëherë tenderin.

Madje njëri prej anëtarëve të KPP, ishte edhe më i prerë. Kreshnik Ternova, përmes mendimit të pakicës, votoi që ministra e Mbrojtjes të ndryshojë fituesin e tenderit duke ja dhënë atë bashkimit të kompanive “Agri Construction”, “Alko Impex Construction” dhe “Bami Holding” si dhe sugjeroi që ti propozohej Agjencisë së Prokurimeve Publike që të niste hetim administrativ ndaj Pirro Vengut për shkeljet e konstatuara në tender.

Megjithatë në finale fitoi varianti i anullimit të tenderit. Por me gjasë, kjo histori nuk mbaron këtu. Pasi bashkimi i kompanive “Agri Construction”, “Alko Impex Construction” dhe “Bami Holding” e kanë ankimuar edhe vendimin e KPP-së në gjykatë duke kërkuar fitoren e tenderit.

Agri Construction është një kompani që zotërohet nga Petrit Patushi. Alko Impex është e Arbër Abazit, ndërsa Bami shpk zotërohet nga biznesmeni Besnik Bami. Sipas joint venture-it të paraqitur për këtë tender, Agri Construction kishte 53.7 për qind të punimeve, Alko kishte 37.4 për qind, ndërsa pjesa tjetër prej më pak se 9 për qind ishte e kompanisë Bami.

Alko Impex është një kockë shumë e fortë në Komisionin e Prokurimeve Publike. Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri më parë ka mbajtur postin e juristit në kompaninë Alko. Përtej kësaj, Arbër Abazi ka lidhje shumë të ngushta në majën e pushtetit. Ky ishte koktejli i duhur për të rrëzuar edhe një kompani të fuqishme si Salillari, por ndërkohë edhe Pirro Vengun.

Megjithatë në këtë rast këto kompani kishin të drejtë. Ato kishin paraqitur një ofertë 1 milionë euro më të ulët në krahasim me fituesin e përzgjedhur nga Pirro Vengu, i cili këtë herë i shpëtoi hetimit administrativ me shumicë votash, por ndërkohë do t’i duhet gjithmonë të kalojë edhe testin e vështirë të SPAK, për firmat e hedhura gjatë kohës që drejtonte Autoritetin Portual, veçanërisht asaj të hedhur në aferën e portit të Durrësit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *