14 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Shqiptarët nisin marifetet për të anashkaluar bllokimin e TikTok, rritet me 12 herë përdorimi i VPN

Qytetarët shqiptarë kanë filluar të marrin masa për të anashkaluar bllokimin e TikTok nga ana e qeverisë. ProtonVPN raportoi se Shqipëria është duke shënuar një rritje dramatike të përdorimit të rrjeteve private virtuale VPN. Kjo metodë anashkalon bllokimin dhe u jep qytetarëve akses në rrjetin social, pavarësisht bllokimit nga qeveria.

Sipas kompanisë zviceriane, ditët e fundit është vënë re një rritje me 1,200% e përdoruesve nga Shqipëria që kërkojnë të anashkalojnë ndalimin, me numra që vazhdojnë të rriten ndërsa qytetarët kërkojnë mënyra për të hyrë në platformën e njohur të mediave sociale.

“Rritja me 1200% e përdorimit të VPN tregon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si shqiptarët po aksesojnë internetin. Numrat janë ende në rritje, duke sugjeruar që më shumë përdorues po kërkojnë mënyra për të anashkaluar ndalimin. Rritja nuk kufizohet vetëm tek individët me njohuri teknologjike; shumë përdorues mesatarë tani po përdorin VPN për herë të parë,” thekson raporti i Proton VPN.

Qeveria e Shqipërisë ndaloi TikTok, duke përmendur shqetësimet mbi privatësinë dhe sigurinë e të dhënave. Ndalimi jo vetëm që ka prekur përdoruesit e TikTok, por gjithashtu ka ngritur pikëpyetje për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion në Shqipëri.

Shumë qytetarë kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke argumentuar se ndalimi cenon të drejtat e tyre për të komunikuar dhe shpërndarë lirisht përmbajtjen. Por rritja e përdorimit të VPN tregon një dëshirë të fortë mes shqiptarëve për të ruajtur aksesin në platformat e mediave sociale.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *