Treguesit e punësimit duket se kanë vijuar me përmirësime përgjatë vitit 2024, në krahasim me vitet më parë. Shifrat zyrtare tregojnë se përgjatë tremujorit të fundit të vitit 2024 shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri sa i përket popullsisë 15 vjeç dhe lart regjistrohet në 8.8%, nga 9.5% që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2023.
Sipas këtyre të dhënave shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0.7 pikë përqindje në krahasim me të njejtën periudhë të një viti më parë, por është rritur krahasuar me tremujorin e tretë të po të njejtit vit. Sipas shifrave, niveli i papunësisë për vitin 2024 vlerësohet më poshtë se vitet e tjera, por ajo që mbetet shqetësuese është niveli i papunësisë tek të rinjtë.
Treguesi për këtë grupmoshë vijon të mbetet me numra dyshifrorë dhe ndjeshëm më i lartë se grupmoshat e tjera. Për tremujorin e fundit të vitit treguesi vlerësohet 19.1%, duke u rritur nga dy tremujorët e mëparshëm.
Nëse i kryqëzojmë të dhënat me ato të Eurostat sa i përket tremujorin e fundit të vitit të kaluar shohim se Shqipëria dhe Spanja, me një normë të barabartë të papunësië, kryesojnë Europën me vlerën më të lartë të normës tek të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç. Ndiqen në renditje nga Greqia, Serbia, Suedia dhe Finlanda.
Ndërkohë, Malta, Gjermania dhe Çekia regjistrojnë normën më të ulët. Mesatarja e Bashkimit Europia vlerësohet në 11.2% në tremujorin e katërt e vitit 2024.
Papunësia e lartë tek të rinjtë në Shqipëri është një problem kompleks që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Ndërkohë që ka mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë, shumë të rinj mbeten të papunë. Kjo situatë mund të shpjegohet me disa faktorë kryesorë. E para lidhet me emigrimin. Një pjesë e madhe e të rinjve zgjedhin të emigrojnë për të gjetur mundësi më të mira ekonomike jashtë vendit. Kjo ndikon në tkurrjen e grupmoshës së re dhe në rritjen e papunësisë afatgjatë.
Mungesa e mundësive të punës, mungesa e përgatitjes profesionale dhe dekurajimi mund të jenë disa faktorë të tjerë. Shumë të rinj nuk kanë aftësitë e nevojshme për tregun e punës, duke bërë që të mos jenë të përgatitur për pozicionet e kërkuara nga punëdhënësit.
Scan