14 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Qeveria u cakton hoteleve numrin e turistëve, nuk pranohet deklarim nën 65% të kapacitetit

Qeveria shqiptare ka vendosur t’u caktojë hoteleve numrin e turistëve që ata duhet të deklarojnë për efekt të pagesës së taksave. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama që në vitin 2023, qeveria ka miratuar një vendim, i cili cakton referenca për të gjitha strukturat akomoduese me argumentin se aktualisht ato mashtrojnë shtetin dhe nuk deklarojnë numrin real për të mos paguar taksat.

Sipas vendimit të qeverisë, periudha e shfrytëzimit është e ndarë në dy faza sezonale, përkatësisht, nga data 1 maj deri në datën 30 shtator dhe nga data 1 tetor deri në datën 30 prill të çdo viti.

Nga data 1 maj deri më datë 30 shtator niveli minimal i shfrytëzimit të strukturës akomoduese është 65% e kapacitetit total të saj, pra nën këtë shifër nuk mund të deklarohet shfrytëzim. Pra një hotel me 100 dhoma, nuk mund të deklarojë shfrytëzim më të ulët se për 65 dhoma në muaj. Ndësa për periudhën tjetër të vitit niveli minimal i referencës është caktuar 30 për qind e kapacitetit.

“Ky nivel llogaritet duke marrë në konsideratë numrin e përgjithshëm të dhomave të shfrytëzuara përgjatë periudhës së shfrytëzimit në raport me kapacitetin e plotë të strukturës akomoduese gjatë kësaj periudhe”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Sipas qeverisë, ky kufizim, vjen për shkak të informalitetit të lartë që ka në sektorin e turizmit, pasi hotelet edhe pse janë plot, edhe në pikun e sezonit turistik ata deklaronin se po shfrytëzojnë 50 maksimumi 60% të kapaciteteve të tyre.

Kjo fshehje e numrit real të akomodimeve, ka ndikuar negativisht në të ardhurat e buxhetit qendror por edhe tek të ardhurat e pushtetit vendor, pasi për rrjedhojë nuk është deklaruar xhiroja reale e bizneseve e nuk janë paguar taksa.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *