Sektori i mikrofinancës, pra subjektet financiare jobanka, shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, kanë disbursuar rreth 400 milionë euro kredi të reja në 2024. Sipas të dhënave paraprake të mbledhura nga anëtarët e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare, portofoli i kredisë së sektorit u rrit me 12.2%, në një trend të ngjashëm me rritjen e vitit pararendës.
Më shumë kredi janë dhënë ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme. Konkretisht, huaja për biznese pati një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2023 në drejtim të tepricës gjendje, ndërkohë qe u ngadalësua me 6% në drejtim të numrit të kredisë aktive. Ndër faktorët që kanë ndikuar këtë rezultat janë rritja e konkurrencës nga sektori bankar, rritja e vlerës mesatare të kredisë (nga 7,500 euro ne 8,400 euro per kredi), si edhe rënia e kërkesës sidomos në segmentin mikro.
Rreth 25 mijë biznese familjare mbështeten çdo vit nga mikrofinanca, ndërsa për çdo kredi të dhënë një biznesi start-up krijohen 3 vende pune. Sipas anëtarëve të mikrofinancës, veprimtaria e sektorit mbështetet nga llogaritë kapitale dhe huatë e marra nga investitorët, apo sektori bankar, ndërkohë që skemat sovrane të ofruara nga qeveria mbeten eksluzivitet i sektorit bankar dhe nuk ndihmojnë në zbutjen e kostove të kredisë për segmentet e shërbyera nga mikrofinanca.
Nga ana tjetër, kredia e re për individë u rrit me 24% si në vëllim, ashtu edhe në numër. Kredia mesatare e dhënë për individë mbetet në të njëjtin nivel me 2023 në vlerën 82 mijë lekë.
Mikrofinanca vijon të jetë huadhënësi kryesor në bujqësi, për shkak të modelit të biznesit dhe pranisë në zonat rurale. Kredia per bujqesine u zgjerua me 31% ne vitin 2024, ndërkohë që kredia mesatare e dhene mbeti ne kufijte e 2,800 euro per kredi. Numri i klientëve aktivë në zonat rurale është mbi 72 mijë, ndërsa në zonat urbane mbi 123 mijë. Sektorë të tjerë që janë mbështetur me financim nga institucionet financiare jobanka janë shërbimet, përfshirë edhe turizmin, tregtia dhe riparimi i automjeteve, si dhe ndërtimi.
Për sa i takon kredisë me probleme, ajo mbetet e stabilizuar në kufijtë e 6.28%, duke dëshmuar praktika të mira të menaxhimit të rrezikut për shkak të bazës së lartë të diversifikimit të klientelës.