Gjigandi ndërkombëtar i vlerësimeve Standard & Poor’s përmirësoi për herë të dytë në harkun kohor të një viti vlerësimin për qëndrueshmërinë e financave publike të Shqipërisë.
S&P Global Ratings tha se ka rritur vlerësimin për borxhin afatgjatë të Shqipërisë nga BB- në BB, me një perspektivë të qëndrueshme, duke reflektuar ecurinë e fortë ekonomike dhe fiskale të vendit gjatë disa viteve të fundit. Përmirësimi i vlerësimit përfshin si borxhin afatgjatë që qeveria ka marrë në valutë ashtu dhe atë në monedhën vendase. Në mars të vitit të kaluar, Standard & Poor e rriti vlerësimin nga B+ në BB-.
Në të njëjtën kohë, S&P konfirmoi notën “B” për borxhin afatshkurtër dhe rishikoi vlerësimin e transfertave dhe konvertueshmërisë të Shqipërisë në “BBB-” nga “BB+”, thuhet në një deklaratë të premten. Rritja në notën e borxhit e bën gjendjen financiare të vendit më të sigurtë në sytë e investitorëve duke mundësuar marrjen e borxheve me interesa më të ulëta.
“Investimet e mëdha të huaja direkte neto (IHD), flukset hyrëse të remitancave dhe lulëzimi i eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivat solide ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të rritura gjeopolitike dhe pasigurisë përpara zgjedhjeve parlamentare të këtij viti”, tha agjencia globale e vlerësimit.
S&P pret që rritja reale e ekonomisë shqiptare të mbetet mbi 3% deri në vitin 2028, e nxitur nga investimet dhe konsumi.
Sfidat strukturore vazhdojnë, të tilla si tkurrja e fuqisë punëtore dhe emigracioni i qëndrueshëm, ndërsa mbështetja e ekonomisë në turizëm dhe kërkesa e jashtme nga tregjet kryesore të BE-së shton cenueshmërinë ekonomike.
Rreziqet fiskale vazhdojnë për shkak të borxhit të lartë në valutë të huaj, maturimeve afatshkurtra të borxhit të brendshëm dhe angazhimeve të konsiderueshme të partneritetit publik-privat, ndërsa tensionet diplomatike me Greqinë mund të sfidojnë përparimin e saj në pranimin në BE, tha agjencia globale e vlerësimit.