Hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri u rritën me mbi 11 për qind në dy muajt e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në dy muaj e parë të vitit, kanë hyrë 1.076.454 shtetas të huaj, ose 11% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas shifrave, rritja përfshin shtetasit e huaj nga të gjitha rajonet, si nga Afrika, Lindja e Mesme, SHBA, Azia dhe Paqësori, etj.
Përveç shtetasve të huaj, edhe shqiptarët kanë hyrë e dalë më të shumtë në numër, si për muajin shkurt, ashtu edhe për dy muajt e parë të vitit 2025.
Sipas Instat, gjatë muajit Shkurt 2025, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.059.274 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 7,9 %, krahasuar me Shkurt 2024. 1.066.954 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 6,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Shkurt 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 7,4 % krahasuar me Shkurt 2024. Rritje në muajin Shkurt kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 29,6 %.