Bashkimi Europian vendosi t’i disbursojë Shqipërisë parafinancimin e parashikuar në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritjes Ekonomike të BE-së. Kjo është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Parafinancimi, në vlerën 64.5 milionë euro, është në zhvillim e sipër dhe do të mbështesë zbatimin e Axhendës së Reformës, në kuadër të Facilitetit të Reformës dhe Rritjes, dhe angazhimeve që Shqipëria ka marrë me të.
Me këtë parafinancim, Shqipëria ka marrë 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit, si mbështetje për zbatimin e reformave në kuadër të Axhendës së Reformës së vendit.
Parafinancimi i mbetur prej 34.5 milionë euro, në grante dhe hua koncesionare, do t’i injektohet drejtpërdrejt WBIF-it (Western Balkans Investment Framework) për investime në infrastrukturë në Shqipëri.
“Bashkimi Evropian qëndron në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes e ndihmon Shqipërinë për të arritur këtë qëllim dhe për ta afruar ekonominë shqiptare me atë të Bashkimit Evropian përpara se Shqipëria të bëhet anëtare. Ne po e mbështesim Shqipërinë të konsolidojë shtetin e saj të së drejtës, të zhvillojë infrastrukturën e saj, ekonominë e saj të gjelbër, kapitalin e saj njerëzor dhe biznesin e saj privat. Evropa është këtu për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe kohezionin social të Shqipërisë tha Silvio Gonzato.
“Ne e vlerësojmë këtë si një shenjë të qartë besimi nga BE në rrugën e reformave të Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në familjen evropiane. Ne përqafojmë plotësisht madhësinë e kësaj mundësie historike, si dhe angazhimet përpara, dhe jemi energjikisht të motivuar dhe të përgatitur për të vazhduar reformimin dhe përmbushjen e me zell të kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Maj.
Deri në vitin 2027, Shqipëria ka mundësinë të marrë deri në 922.1 milionë euro në total nga Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në këmbim të reformave në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, energjinë e rinovueshme, ekonominë dixhitale, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorit privat.
Pagesat e ardhshme në kuadër të Facilitetit do të bëhen me përfundimin e hapave të reformave të rënë dakord ndërmjet Komisionit dhe Qeverisë Shqiptare në Axhendën e Reformës. Ndërsa Shqipëria përparon në zbatimin e Axhendës së Reformës, BE do të zhbllokojë pagesat.
Sfondi
Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor ofron një udhërrëfyes për të sjellë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu lehtëson aksesin gradual në tregun e vetëm, duke i lejuar qytetarët në Ballkanin Perëndimor të korrin disa përfitime të hershme nga integrimi në BE, si dhe mbështet integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal.
Plani i Rritjes ofron 6 miliardë euro ndihmë financiare shtesë për të mbështetur reformat socio-ekonomike dhe themelore dhe investimet përkatëse. Pagesat kushtëzohen me arritjen e reformave të specifikuara në Axhendat e Reformave të përgatitura nga secili përfitues.
Komisioni Evropian aktualisht po punon për vlerësimin e grupit të parë të hapave të reformës. Përmbushja e këtyre hapave do t’i japë Shqipërisë të drejtën për të marrë disbursimin korrespondues në kuadër të Facilitetit.