Banka e Shqipërisë raportoi se Shqipëria përfitoi 5 miliardë euro të ardhura nga turizmi gjatë vitit të kaluar. Shifra, që përbën një rekord historik, është më shumë se 20 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Të dhënat e detajuara të bëra publike në bilancin e pagesave, tregojnë se krahasuar me vitin 2023, të ardhurat nga turizmi u rritën me 827 milionë euro duke ruajtur trendin e fortë rritës.
Turizmi është shndërruar në sektorin kyç të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit. Në vitin 2021, Shqipëria përfitonte sipas BSH, më pak se 2 miliardë euro të ardhura nga turizmi. Por në tre vitet pasardhëse shifra është rritur me ritme të shpejta duke cekur kufirin e 5 miliardë eurove gjatë vitit 2024.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar sektori i turizmit i la ekonomisë shqiptare një sufiçit valutor neto prej 2.3 miliardë eurosh. Kjo shifër është diferenca mes të ardhurave që të huajt shpenzojnë për turizëm në Shqipëri dhe shpenzimeve që shqiptarët bëjnë në udhëtimet e tyre jashtë shtetit.
Sipas BSH, gjatë vitit 2024 shqiptarët shpenzuan 2.7 miliardë euro për udhëtime dhe turizëm jashtë Shqipërisë.