1 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Sherri për resortin tek Rana e Hedhun/ Banorët akuzojnë për vjedhje prone, reagon Gener 2: Nuk i kemi cënuar askujt të drejtat e pronësisë

Banorët e fshatit Baks-Rrjoll kanë dalë sëish në protestë kundër ndërtimit të resortit turistik Blue Borgo nga kompania Gener 2. Banorët akuzojnë se toka ku do të ndërtohet projekti u përket atyre, por është falsifikuar. Për këtë akuzojnë dhe ata që sipas tyre janë përgjegjës.

Banori Prek Molla në një lidhje për edicionin e lajmeve në MCN TV akuzoi Fatmir Shpellzajn dhe gjyqtaren Vojsave Kola Osmani, duke u shprehur se nesër të gjitha familjet do shkojnë në SPAK për të marrë një përgjigje. Sipas tij Shpellzaj ka paguar para për banorët e një fshati tjetër për të hedhur firmën, për të pretenduar se ka kryer një dëgjesë publike.

Foto e projektit te resortit Blue Borgo

“Në shi do rrimë gjithë ditën dhe gjithë natën. Nesër do jemi si fshat komplet pranë SPAK-ut për të marrë atë përgjigje që ne kërkojmë dhe atë të drejtë që na tako. Në padi kemi kërkuar zbardhjen e të vërtetës, si i mori ky person Fatmir Shpellzaj 1500 dynym në fshat dhe të ballafaqohen dokumentet e tyre para SPAK. Unë e di që ato janë të falsifikuara dhe mënyrën e falsifikimit unë e di. Në kallëzimin në SPAK i kam treguar falsifikimet dhe mënyrën si janë bërë, por gjyqtarja Vojsava Kola (Osmanaj) e ka parë të arsyeshme që një banor që s’është banor i fshatit, të paraqitet me certifikatë pronësie, nga kjo gjyqtare që është më e korruptuara në Shkodër,” deklaroi Molla.

Sipas tij, janë mbi 60 familje, që të gjithë trashëgimtarë të pronës.

“Kanë hyrë me force dhe policia ka nxjerrë nga prona jonë, pasi e kemi poseduar ne deri më sot. Këtu ka vetëm padrejtësi dhe zaptim prone nga të fortët. Jam betuar për krye të fëmijëve se pronën time s’e lë pa vdekur! Një person politik, ish-kryetari i LSI-së, ka qenë edhe drejtues i Hipotekës në Malësinë e Madhe. Nuk ka pasur dëgjesë publike. Dëgjesa publike është bërë në fshat tjetër. Shpellzaj ka paguar njerëz në kafe për të lëshuar firmë si fshatarë të zonës. Ata persona do përgjigjen para ligjit, dhe s’janë anëtarë të fshatit tonë,” vijoi Molla.

Reagon kompania 

Por pas protesës së banorëve ka reaguar kompania. Gener 2 ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke sqaruar se projekti i saj “Blue Borgo”, që do të ndërtohet në afërsi të Ranës së Hedhun, në zonën e Velipojës, është në përputhje të plotë me të gjitha aktet ligjore në fuqi.

“Kompania Gener 2 garanton se gjatë këtij procesi nuk i ka cenuar askujt të drejtat e pronësisë dhe asnjë të drejtë tjetër, por është mbështetur vetëm në vendimet e certifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Çdo pretendim tjetër lidhur me pozicionin tonë për projektin “Blue Borgo” është një spekulim i pastër, pa asnjë lidhje me të vërtetën, të cilin e konsiderojmë një deformim të qëllimshëm ose jo, që thjesht dhe vetëm dezinformon publikun,” deklaroi kompania.

Sipas saj, që nga nisja e idesë e deri në finalizimin e marrjes së lejes së ndërtimit, në muajin dhjetor të vitit 2024, kompania ka ndjekur me rigorozitet të gjitha procedurat e kërkuara dhe nuk ka ndeshur asnjë problematikë në të gjitha hapat e aplikimit.

“Në çdo fazë të këtij projekti kemi respektuar me korrektësi të gjitha normat ligjore dhe institucionale, duke përfshirë këtu edhe dëgjesat publike me banorët e zonës. Kompania Gener 2 mbetet plotësisht e angazhuar në realizimin në kohë dhe në cilësi të projektit “Blue Borgo” në përputhje të plotë me standardet më të mira bashkëkohore dhe në respekt të plotë me të gjitha procedurat ligjore të Republikës së Shqipërisë,” përfundon kompania e biznesmenit Bashkim Ulaj reagimin e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *