2 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Shqipëria do të nis prodhimin e mjeteve të blinduara ushtarake brenda vitit

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi se brenda këtij viti Shqipëria do të fillojë të prodhojë mjete të blinduara dhe uniforma ushtarake.

“Besoj se këtë vit do të fillojmë me prodhimin e uniformave dhe mjeteve të blinduara dhe po synojmë të fillojmë prodhimin e municioneve. Besoj se këto do të jenë 3 produktet e para që na japin optimizëm,” tha Vengu gjatë një interviste për A2 CNN.

Qeveria shqiptare vendosi të riaktivizojë industrinë ushtarake pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, që ka çuar në një rritje të madhe të kërkesës për produktet luftarake.

“Ne synojmë t’i bashkojmë një linjë prodhimi kompleksit Mjekës, ish-Uzina e Autotraktorit, Poliçani, Gramshi, si dhe disa lokacione të tjera. Shqipëria nuk e ka këtë aktivitet ekonomik prej disa dekadash dhe duhet të marrim kohën e duhur për negociata. Fjala është për investitorët privatë që do të bëhen bashkëaksionarë me shtetin, me kompaninë shtetërore. Nuk është thjesht prodhimi i armatimeve, ri-industrializimi i Shqipërisë, si një shtyllë tjetër e fortë”, shtoi ministri.

Qeveria krijoi një kompani shtetërore të quajtur Kayo, e cila do të udhëheq rigjallërimin e industrisë ushtarake në partneritet me privatët.

“Ne po negociojmë edhe kontrata më komplekse që lidhen me artilerinë e rëndë, me elementë që kërkojnë më shumë kohë. Fjala është për investime që kalojnë dhjetëra e qindra miliona euro”, tha ministri Vengu.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *