Për çdo minutë të vitit të kaluar, në Shqipëri kanë hyrë ose kanë dalë mesatarisht 74 persona vendas dhe të huaj, përmes pikave kufitare të vendit.
Sipas raportit vjetor të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2024 janë regjistruar mbi 39 milionë hyrje-dalje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj. Krahasuar me vitin 2023, kjo përfaqëson një rritje prej 11.3 milionë lëvizjesh, ose 29% më shumë.
Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, rritja vjetore e hyrje-daljeve përllogaritet në vetëm 14%.
Në të njëjtën linjë, Ministria e Brendshme raporton se është rritur ndjeshëm edhe fluksi i mjeteve që kanë hyrë dhe dalë nga territori i vendit, përmes pikave kufitare tokësore dhe detare.
Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 10.4 milionë automjete që kanë kaluar kufirin shqiptar. Në përllogaritje të thjeshtë, kjo do të thotë se për çdo minutë të vitit 2024, rreth 20 automjete kanë hyrë ose kanë dalë nga vendi.
Rritja e ndjeshme e lëvizshmërisë lidhet ngushtë me zhvillimin e sektorit të turizmit, i cili ka njohur shifra rekord gjatë vitit të kaluar.
Një tjetër faktor me ndikim ka qenë rritja e udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit, veçanërisht përmes fluturimeve me kosto të ulët që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Këto kanë nxitur më shumë dalje nga territori për pushime, por edhe për qëllime të tjera si puna, arsimi apo vizitat familjare.
Scan