30 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

A.N.K dhe 2T fitojnë kontratat 50 mln euro për lotin III dhe IV të Elbasan-Qafë Thanë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur bashkimin e kompanive 2T dhe Hastoçi si fituese të tenderit për fazën e tretë të zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, në tenderin me fond limit 2.5 miliardë lekë u paraqitën gjithsej 7 oferta.

Dy ofertat më të ulëta u dhanë nga kompanitë Albstar dhe Salillari respektivisht me 1.97 miliardë dhe 2.08 miliardë lekë. Por ARRSH i ka skualifikuar të dyja duke shpallur fituese ofertën e tretë, atë të bashkimit mes 2T dhe Hastoçi me vlerë 2.11 miliardë lekë ose rreth 20.7 milionë euro.

Ndërkohë e njëta situatë u paraqit edhe në tenderin tjetër, atë të fazës së katërt për zgjerimin e Elbasan-Qafë Thanë. Edhe për tenderin e fazës së katërt ishte përcaktuar një fond limit prej rreth 2.5 miliardë lekë.

Në këtë prokurim u paraqitën 5 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë A.N.K, e cila u shpall dhe fituese. Kompania e zotëruar nga ish deputeti i Partisë Socialiste Ndue Kola, ofertoi me vlerën 2.085 miliardë lekë ose 20.5 milionë euro.

Në total faza e tretë dhe e katërt e zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë do të kushtojë 41.2 milionë euro sipas fituesve të shpallur në tenderat përkatës.

Projekti i Elbasan-Qafë Thanë është një nga akset më të rëndësishëm në vend për shkak se është pjesë e Korridorit 8 dhe ka një gjatësi mbi 50.1 kilometra. Në muajin gusht MIE pranoi se projekti ka ndryshuar pas negociatave me palën e Maqedonisë së Veriut dhe pika e re e daljes është afër Urës së Bushtricës. Aktualisht po punohet në Lotin 1 dhe Lotin 2 të gjatë përkatësisht 5 dhe 4.5 kilometra.

Faza e parë është fituar nga kompania Alb Building me një çmim 18 milionë euro, ndërsa e dyta nga një bashkim kompanish i kryesuar nga 4 A-M me çmim prej rreth 24 milionë euro.  

Në total, për katër fazat e para kostoja e rrugës ka arritur në gati 85 milionë euro, për vetëm gjysmën e gjatësisë së saj.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *