Klodian Tomorri
I nervozuar si kurrë më parë nga shembja e fadadës së rreme europiane të ndërtuar me milionat e eurove lobuese që shpërndahen për Blairet, D’Alemat, Ursot, McGonigalët e sa e sa të tjerë të këtij soji që nuk dihen, Edi Rama rendi drejt strategjisë së vetme qe i kishte mbetur për të sfumuar realitetin e shtetit mafioz të ekspozuar nga gazetarët e Rai Tre. Tek vrasja e lajmësit. Këtë radhë kjo ishte e detyruar, pasi nuk pinë më uje as batutat e zakonshme që zhvlerësojnë pyetjet e gazëtarëve dhe as spërdredhjet e pafuqishme në italishten e mekur nga ulërima e fakteve.
Eliminimi i dëshmitarëve është strategji tipike e organizatave mafioze sa herë që punët e tyre dalin në shesh. Kur kjo është e pamundur fizikisht, ateherë lajmësit dikretitohen publikisht si të pabesueshëm dhe me karakter të lig. Jo pa qëllim, i gjithë aparati propagandistik i qeverisë dhe tambureve të saj, në dy ditet e fundit është përqendruar tek goditja e atyre që folën në emisionin e Report.
Arben Ahmetaj u be dërri në pyllin e dendur të pushtetit dhe gjarpri që maxhoranca e mbajti pafajësisht për 10 vite në gjirin e saj. Ky është një i arratisur nga drejtësia, i cili sajon akuza për shkak se i është refuzuar azili dhe qëndrimi ne apartamentin luksoz të Luganos, ku paskan jetuar dhe vipa të rangut botëror.
Francesco Becchetti është një kriminel i dënuar me 17 vjet burg për pastrim parash. Ky me paratë e tij të pista, qënka një nga sponsorat e emisionit skifoz të Rai-t.
Sali Berisha nuk ka nevojë për shume punë. Ky ka 10 vjet që është aty, sa herë që pushtetit i duhen armiq. Këtë herë, nga ballkoni ku e kanë strukur, Saliu gatoi përzierjen e helmatisur që u eksportua në studiot e Rai-t. Pra non grata i izoluar ndërkombëtarisht, qënka njëkohësisht gjeniu i fshehtë që drejton linjat editoriale të mediave më të rëndësishme të botës, nga Rai në Itali e deri tek Bildi në Gjermani.
Qe cirku propagandistik të mbyllet tamam, i duhet vënë një njollë edhe Fatos Lubonjës. Dhe meqë këtij nuk i thonë dot as i korruptuar dhe as pjesë e rrethit të Berishës, i ngjiten damkën e urryesit patologjik dhe mllefaxhiut të kahershëm personal të kryeministrit.
Me pak fjalë, boshti i së keqes është bërë bashkë për të baltosur kryeministrin e mire të Shqipërisë dhe flamurin e shqiptarëve.
Megjithatë, e gjitha kjo është një strategji e dëshpëruar. Për shqiptarët sot nuk përbën më asnjë grimë interes, nëse Arben Ahmetaj është burrë i mirë apo burrë i poshtër. Kjo çështje kishte interes publik në 10 vitet e shkuara, kur Edi Rama e mbante atë në postet më të larta të qeverisë. Tani, që Ahmetaj nuk ka më në dorë asnjë qindarkë të shqiptarëve, per publikun ka interes vetëm një gjë. A janë të vërteta ato që thotë ish zëvendësi i Ramës në arrati?
Dhe këtu përgjigjet e para kanë filluar të vijnë tashmë. Arben Ahmetaj tha se kryeministri ndan copat e Shqiperisë duke ngrënë qofte. Por a nuk e pranoi vetë Edi Rama nën presionin e gazetarëve të Rait se në zyrën e tij bëhen biseda për liçenca kazinosh?
Ahmetaj tha se në zyrën më të lartë të shtetit hyjnë e dalin lirshëm kapot e krimit të organizuar. Por a nuk u detyrua ta pranonte vetë kryeministri se në zyren e tij ka pritur dhe njerëz të përfolur për lidhje me kartelet më të frikshme të drogës në botë?
E njëjta logjikë vlen edhe për Becchettin. Për shqiptarët tani nuk ka më asnjë pikë rëndësie se sa kriminel është Becchetti. Edhe sikur ky të jetë mafiozi më i madh i botës. Por për shqiptarët ka shumë rëndësi të kuptojnë se çdo një ministër i Melonit që bën biznes në Shqipëri, në ortakëri me një ish ministre të Edi Ramës? Cfarë i ka lidhur këta?
Ndaj tamburet e propagandës mund të shtjenë batare pafund breshërish mbi lajmësit. Por edhe sikur t’i varrosin ata 7 pashë nën tokë, nuk do të arrijnë të vrasin dot lajmin. Sepse kazinotë, përgjimet e Sky-t, koordinatorët e personazheve të metamorfozës, kullat e Tiranës dhe resortet e ndërtuara mbi copat e falura të bregdetit janë aty. Në sytë e të gjithëve.