27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Abuzimet te Onkologjiku, “mal”, Antikorrupsioni i Ulsit kap arkëtaren për 1500 euro

Nga Boldnews.al

Një hetim, megjithëse i përciptë i zhvilluar gjatë këtij viti në Spitalin Onkologjik në Tiranë, zbuloi abuzime, si të stafit mjekësor, por sidomos në menaxhimin dhe pajisjen me pajisje mjekësore e medikamente.

Nga ana tjetër, shumë denoncime publike të qytetarëve që i zë halli të përballen me Onkologjikun, tregojnë për histori të dhimbshme njerëzore, që përballen me mungesa të theksuara ilaçesh, si edhe faturat e majme që duhet të paguajnë “nën dorë” për të marrë shërbimin.

Të gjitha këto situata ndodhin ditën për diell. Por, për qeverinë, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe strukturave të tjera mbikqyrëse, anashkalohen vetëm me propagandë. Dhe, në ndonjë rast, edhe me zbulimin e shkeljeve minimale, të cilat i shndërrojnë strukturat monitoruese në qesharake.

Prej disa vitesh, institucionet publike kanë ngritur strukturat “Antikorrupsion”, njësi që, si rregull, duhet të raportojnë rastet korruptive. Kjo strukturë është në varësi të Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Deri më tani, strukturat “Antikorrupsion” janë thuajse inekzistente, megjithëse raportet ndërkombëtare, por edhe të dhënat lokale, dëshmojnë për korrupsion kapilar në të gjithë administratën publike.

Përballë raporteve kritike, “Anti-korrupsioni” i Ulsi Manjës tenton të ndërtojë disa statistika “goditjeje”. Një ndër të to është edhe “zbulimi” i shkeljeve të kryera nga llogaritarja e Onkologjikut gjatë vitit 2022, për një vlerë prej 185 mijë lekë të reja ose rreth 1500 euro, referuar kursit të këmbimit të kohës.

Shkeljet e llogaritares

Në janar të vitit 2023, vetë Ministri i Drejtësisë, Manja, firmoi një kallëzim ndaj llogaritares së Spitalit Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare, Tiranë (QSUT), shtetases M.K.

Sipas kallëzimit të dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, llogaritarja ka kryer veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Në foto: Pjesë nga kallëzimi i Ulsi Manjës për arkëtaren e Onkologjikut

Nga materiali kallëzues rezulton se Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë, nëpërmjet Koordinatorit kundër Korrupsionit pranë QSUT, ka nisur kryesisht hetimin administrativ, sa i përket procesit të arkëtimit dhe lëshimit të faturave për pacientët nga punonjësja e arkës pranë Polit të Administrimit të Integruar të Spitalit Onkologjik Znj. M.K.

Nga verifikimi i të dhënave u konstatua se, për periudhën Janar-Prill 2022, arkëtarja nuk ka dorëzuar disa fatura për shërbimet e kryera nga pacientë të ndryshëm tek Onkologjiku, për një vlerë prej 184 mijë lekë të reja.

Pas këtij verifikimit, drejtuesit menaxherialë kanë pyetur zonjën M.K. për shkeljet e konstatuara.

Pasi u vu në djeni për këto shkelje, arkëtarja M.K., ka deklaruar se tha e gjitha kjo ka ardhur si pasojë e mbingarkesës së punës dhe nga problemet e saj që kam pasur në lidhje me jetën e saj përsonale.

Gjithashtu, ajo ka deklaruar se këtë shumë do ta shlyej vetë, ndërkohë që ka nënshkruar edhe një deklaratë, në të cilën është pranuar detyrimi, si edhe fakti që situata është pasojë e gabimit njerëzor.

Dënimi

Deklaratat e arkëtares janë konsideruar justifikime të pavërteta nga Drejtoria Qendrore e Anti-korrupsioni dhe nga vetë ministri Manja, i cili ka kallëzuar 45-vjeçaren M.K.

Prokuroria e Tiranës zhvilloi hetimet dhe e dërgoi çështjen e saj në gjykim, duke e akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Në foto: Vendimi i Gjykatës së Tiranës për shtetasen M.K

Pak kohë më parë, Gjykata e Tiranës e dënoi me 6 muaj burgim, i cili u ul në 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, gjykata e pezulloi burgimin, duke e vendosur shtetasen M.K në shërbim prove për një periudhë 8-mujore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *