27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Abuzimi që po i shndërron Tatimet në një bandë

Klodian Tomorri

Tre ditë më parë, Administrata Tatimore u bëri thirrje bankave shqiptare të raportojnë pranë saj informacionin e detajuar financiar për të gjithë personat jo rezidentë që kanë llogari bankare në Shqipëri. Kjo kërkesë e Tatimeve buron nga ligji “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit për Llogaritë Financiare,” i miratuar nga Parlamenti në janar të vitit 2020.

Kjo nuk ishte një masë që Shqipëria e miratoi me vullnetin e saj, por është një nismë globale. Në vitin 2014, OECD miratoi të ashtuquajturën Rregullorja e Standardit të Raportimit të Përbashkët, e cila detyron vendet të bëjnë shkëmbim automatik të informacionit për të luftuar evazionin fiskal. Rregullorja është transpozuar në ligj nga 105 vende në mbarë botën. Shqipëria e miratoi në Janar të vitit 2020.

Sipas rregullores, administrata tatimore është e detyruar që çdo vit të përcjellë pranë administratave tatimore të 105 vendeve partnere në botë informacionin e detajuar të shtetasve të këtyre vende që kanë llogari në bankat shqiptare. Nga ana tjetër Tatimet e 105 vendeve në mbarë botën janë të detyruara që çdo vit t’i përcjellin administratës tatimore shqiptare informacionin e detajuar të shqiptarëve që kanë llogari në vendet e tyre.

Teorikisht ky shkëmbim automatik vazhdon prej 3 vitesh tashmë. Por në praktikë askush nuk e di se çfarë ndodh me të vërtetë. Kërkesave për informacion apo interesimit të gazetarëve, Drejtoria e Tatimeve u përgjigjet me justifikimin ordiner të konfidencialitetit.

E megjithatë konfidencialiteti nuk i pengon asfare Tatimet të bëjnë publike numrin e shqiptarëve që kanë aktualisht llogari bankare nëpër botë. Dhe madje edhe vlerën e aseteve cash që shqiptarët mbajnë në bankat e botës. Këto shifra nuk shkelin asnjë nen konfidencialiteti, përkundrazi.

Tre vjet nga hyrja në fuqi e ligjit Administrata Tatimore duhet të kishte raportuar për publikun minimalisht nëse ka identifikuar apo jo shkelje dhe çfarë masash ka marrë për të adresuar këto shkelje. Pra për sa shqiptarë ka ardhur informacioni që kanë llogari bankare nëpër botë dhe nëse të gjithë ata i kanë deklaruar këto të ardhura në Shqipëri.

Por nuk janë vetëm gazetarët dhe publiku që mbahen në errësirë. Këto të dhëna nuk i disponon as Parlamenti dhe asnjë institucion tjetër në Shqipëri, përfshirë ata që hartojnë politikat fiskale të vendit. Me pak fjalë, një nga reformat më të rëndësishme kundër evazionit fiskal, pastrimit të parave dhe korrupsionit u shndërrua as më pak e as më shumë, në një gjyle në dorën e Tatimeve, që nuk japin llogari askund. Tamam si një bandë, e cila fshihet pas konfidencialitetit për detyrat që i ngarkon ligji, por del haptazi në fushatë për Partinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *