Pak ditë më parë, Kapitali publikoi një investigim që tregonte se si po vidhen qytetarët shqiptarë përmes bllokimit të listës së barnave. Për të ilustruar abuzimin portali solli shembullin e një rasti konkret, atë të medikamentit Xarelto, i cili u kushton shqiptarëve të paktën 2.5 milionë euro shtesë në vit nga bllokimi i alternativave të tjera më të lira.
Por Xarelto nuk është bari i vetëm që mbahet në rimbursim me çmime abuzive për shkak të mos përditësimit të listës. Në barnat që përdoren për kurimin e sëmundjeve tumorale vjedhja është edhe më e madhe.
Abiraterone 500 mg është një nga barnat që përdoret për këto sëmundje. Aktualisht shteti shqiptar e rimburson këtë medikament me 1901 euro për kuti, ndërsa çmimi i alternativave të reja që kanë hyrë në treg gjatë dy viteve të fundit zbresin deri në 726 euro. Pra nje diference prej 1175 euro për kuti, e cila paguhet padrejtësisht nga taksat e qytetarëve shqiptarë për kompaninë importuese, që në këtë rast është Rejsi Farma.
Për barin Sunitinib 50 mg, çmimi që rimburson aktualisht FSDKSH është 3532 euro për kuti. Por çmimet e alternativave të reja zbresin deri në 550 euro, ose 3 mijë euro më pak për kuti. Këto para, të cilat duhet të kurseheshin dhe përdoreshin për të zgjeruar alternativat e rimbursimit për qytetarët përfitohen padrejtësisht nga importuesi që mban ekskluzivitetin e Sunitib, kompania Megapharma.
Raste të tilla ka me dhjetra. Pazopanib, Formadozen, Ivabrabine, Ramipril, Leflunomide janë disa prej tyre. Ketë medikamente kanë mbetur si alternativa të vetme në listën e rimbursimit dhe u kushtojnë qytetarëve miliona euro shtesë për shkak të mbajtjes peng të listës.
I vetmi vend Ballkan pa asnjë bar të ri në tre vjet
Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan, i cili prej tre vitesh nuk ka futur asnjë bar të ri në rimbursim edhe pse ligji e detyron qeverinë që të përditësojë listën çdo vit. Kjo jo vetëm që mban padrejtësisht kostot e larta për buxhetin, por privon qytetarët nga alternativat e reja të kurimit, që janë regjistruar gjatë tre viteve të fundit.
Ministria e Shëndetësisë vazhdon ta mbajë të bllokuar listën e barnave pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar, ndërkohë që nën zë justifikohet se nuk ka fonde. Por fondet po vidhen pikërisht nga bllokimi i listës dhe shpenzimi i parave për barna, të cilat paguhen padrejtësisht me çmime të larta, ndërkohë që kanë humbur patentën dhe në treg kanë dalë alternativa më efektive shumë më të lira.
Janë miliona euro që do të kurseheshin ndër vite, të cilat mund të përdoreshin për futjen e barnave te reja, për terapi të cilat nuk kanë trajtim ose e kanë atë shume të kufizuar.
Në këtë pikë pyetja është: kush e ka komprementuar kaq rëndë ministrinë e Shëndetësisë deri në pikën që të shkelë haptazi ligjin.